Magani nuk kursen lojtarët në analizë: Me Kukësin duhet t’i argëtonim tifozët, jo të diskutonim fitoren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2021 | 18:21

Magani nuk kursen lojtarët në analizë: Me Kukësin duhet t’i argëtonim tifozët, jo të diskutonim fitoren

Humbja me Kukësin nuk është kaluar pa analizë tek Egnatia, e cila përgatitjet për Tiranën i ka nisur në Durrës tek aneksi i stadiumit “Niko Dovana”. Trajneri Gugash Magani në analizën e djeshme u ka kërkuar lojtarëve që të reagojnë menjëherë, si dhe u ka dhënë udhëzimet se si duhet t’i menaxhojnë situatat.

Gugash Magani

“Jemi një skuadër që e kemi nisur me synime serioze Superioren. Duhet të jemi më të qartë e të qetë në veprimet tona gjatë lojës. Emocionet e para bëjnë të vetën, por duhet të mos ndikoheni aspak nga efekte të tilla. S’na mungon asgjë dhe i keni mundësitë të shfaqni vlerat më të mira. Mendoj se e dini se Egnatia është klub i ri në elitë, por ka traditën e vet. Nuk na mungon asgjë që të jemi më të efektshëm në punën tonë.

Ne si staf besoj kemi qenë konkretë dhe ju duhet ta vlerësoni këtë fanellë në përgjithësi. Ishin të shumtë tifozët që na ndoqën nga afër me Kukësin dhe duhet t’i argëtonim në tërësi, jo të diskutonim fitoren siç na ndodhi. Episodet bëjnë të vetën, por ne nuk duhet të gabojmë asnjë moment. Duhet të ruajmë qetësinë. Gjithkush nga Egnatia pret më shumë në çdo kohë. Mund të ndodhin shumë gjëra gjatë rrugëtimit tonë, por nuk duhet të ndikohemi. Është klub që ka pasur investime në merkato e kudo, na mjafton vetëm të jemi të saktë.

Presim një reagim nga të gjithë ju në vazhdim, pasi përvoja nuk është e paktë. Vetëm se na duhet më shumë përqendrim. Egnatia është debutuese në Superiore, por nuk duhet të na nënvlerësojnë. I gjithë problemi është se duhet të shënojmë e të ruajmë rezultatin. Kam bindjen se do ta bëjmë kthesën patjetër. Të shumtë janë emrat nga ju që dinë të bëjnë mirë gjithmonë. Qyteti i Rrogozhinës jeton me futbollin, ndaj duhet të tregohemi korrektë në vazhdim. Me Tiranën duhet të provojmë shanset tona. Çdo kundërshtar duhet vlerësuar. Asnjë pikë nuk duhet të na shkojë dëm. Qëllimi i përbashkët është arritja e objektivave. Ishte java e parë, por përqendrimi duhet të jetë maksimal”, mësohet se u ka thënë trajneri Magani lojtarëve në analizë.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"