“Lushnja mbijeton, ky sezoni më i vështirë”, ish-kapiteni Çela “SMS” titullarëve: Koha të flasë… përvoja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2022 | 20:44

“Lushnja mbijeton, ky sezoni më i vështirë”, ish-kapiteni Çela “SMS” titullarëve: Koha të flasë… përvoja

Lushnja nuk është ende e qetë. Me mbi jetesën që nuk është siguruar ende dhe kur dihet që janë edhe 18 pikë në lojë, telashet janë prezente. Verdhejeshilët ndodhen në vendin e 10-të dhe vetëm +1 nga zona “play out” e +3 nga rënia, ndaj gjithçka mund të ndodhë.

Gentian-Cela-ne-sulm-tregon-sherrin-dhe-akuzon-Dedjen

Ish-kapiteni Gentian Çela e quan këtë sezonin më të vështirë të viteve të fundit, ndaj shpreson që tani të flasë përvojë në fushë. Për “Panorama Sport”, ai beson se skuadra do të shpëtojë, megjithatë mendon se stresi do të mbarojë vetëm në javën e 30-të të kampionatit.

“Dihej që ky do të ishte kampionati më i fortë dhe më i vështirë i viteve të fundit dhe jo vetëm për Lushnjën. Klubi sapo ka nisur investimet dhe këtë kërkon ta shoqërojë me qëndrimin e skuadrës në Kategorinë e Parë. Situata ka ardhur në një pikë kritike pasi midis Lushnjës, Butrintit, Pogradecit dhe Turbinës, një skuadër do të shpëtojë dhe një do të bjerë, ndërsa dy ekipe do të luajnë ndeshje shtesë. Vora, Maliqi dhe Shkumbini praktikisht kanë rënë nga kategoria, ndërsa Besëlidhjen e shoh të shpëtuar. Maksimumi që mund të shkojë Lushnja është vendi i 10-të.

Nisur nga kalendari, e shoh sa të vështirë aq edhe të komplikuar situatën. Nga kategoria del ose shpëton dhe për një pikë ose për një gol. Mendoj që këto katër skuadra do të luftojnë deri në fund. Gjithçka do të zgjidhet në javën e fundit.

Lushnja duhet të shfrytëzojë në maksimum ndeshjet që ka në fushën e vet dhe transfertat me Vorën dhe Shkumbinin. Natyrisht që shanset janë, por duhen shfrytëzuar. Ana psikologjike dhe përvoja në këto momente janë vendimtare. Besoj se Lushnja me kontigjentin që ka do ta mbrojë vendin e 10-të”, përfundoi ish-kapiteni Gentian Çela.

ALBAN ALUSH – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"