Lushnja drejt privatizimit, flet zëvendës trajneri: Tani u kthehemi pretendimeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2022 | 15:16

Lushnja drejt privatizimit, flet zëvendës trajneri: Tani u kthehemi pretendimeve

Kriza e Lushnjës nuk po njeh limite. Që nga viti 2006, skuadra ka qenë vetëm 3 herë në Kategorinë Superiore dhe plot 14 herë në të Parën. Por, jo vetëm kaq! Në dy sezonet e fundit jo vetëm që nuk ka pretenduar, por verdhejeshilët kanë rrezikuar të bien më poshtë. Kampionatin e fundit ia hodhën në limite dhe kjo falë ndërhyrjes së bashkisë, në mesin e janarit.

lushnja

U ndryshua stafi teknik dhe u bënë disa afrime cilësore në merkato. Pas një faze të parë për t’u harruar, në të dytën u transformuan. Hapi më i madh u hodh edhe në infrastrukturë ama. Në bashkëpunim me FSHFnë, të paktën kanë terreni të hajrit për t’u stërvitur dhe shumë shpejt do të nisin punimet edhe në “Roza Haxhiu”. E megjithatë, mungesa e një sponsori apo donatori është ndier së tepërmi.

Në klub prej kohësh flitet për privatizim dhe vullneti ekziston, ndonëse ende nuk është hapur procesi. Pritet që këtë verë t’i jepet drejtim kësaj historie dhe nëse kjo do të ndodhë, atëherë e ardhmja e futbollit lushnjar do të jetë krejt ndryshe. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, zv.trajneri Blerim Hasalla e quan sukses mbijetesën, për formën si nisi edicioni.

“Kryesorja është që Lushnja qëndroi në Kategorinë e Parë. E tillë ishte situata. Një kampionat shumë i fortë. Dolën 5 skuadra nga Kategoria. Bëmë disa ndeshje shumë të mira dhe mendoj se Lushnja e fazës së dytë ishte me ritëm pretendenteje. Ishte kënaqësi të isha pjesë e stafit, të një trajneri të suksesshëm si Agim Canaj. Tani shohim nga e ardhmja dhe besoj, me rregullimin e infrastrukturës dhe me më shumë mbështetje, Lushnja do t’u rikthehet pretendimeve”, deklaroi ish-futbollisti.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"