Lushnja dhe Apolonia e mbyllën në barazim, trajneri Magani: Dominuam derbin, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2024 | 17:35

Lushnja dhe Apolonia e mbyllën në barazim, trajneri Magani: Dominuam derbin, por…

Barazim emocionues në derbin e Myzeqesë midis Lushnjës dhe Apolonisë, në prani të 1000 shikuesve në “Roza Haxhiu”. Pas bardhësisë në pjesën e parë, fillimisht shënuan fierakët në minutën e 55-të, me Trifonin ndërsa 17 minuta më vonë Ndubuisi shënon në portën e tij duke barazuar shifrat.

magani

Lushnjarët mund të fitonin, por më minutën e 95-të, francezi Matjë Lëru humbi një penallti, që u prit nga portieri fierak Harizaj.

Ndeshja -Fillimi është i qetë dhe i kujdesshëm dhe lojtarët mundohen të jenë të saktë në pasime. Sinjalin e parë e jep Lushnja me Ololan, por Harizaj kontrollon gjithçka. Lushnja është më kërkuese, por pa mundur që të mposhtë portierin fierak. Përpos rasteve për shënim, që ishin më të shumta nga vendasit, pjesa e parë u mbyll 0-0.  Apolonia e nis pjesën e dytë me zëvendësim ku në fushë hyn Orelesi. Pas pushimit Lushnja është më e vrullshme dhe rastet vijnë shpejt.

Në të 49-ën, Kananaj pason për Cankën, por topin e devijon Asllanaj, që rrezikon autogolin. Minuta 51, Olola në qendër pason për Dragojn, që godet përballë Harizajt, por portieri fierak devijon topin. Pas krosimit të topit nga këndi Lushnja godet traun e portës fierake me Ruçon. Ndeshja ka shumë emocione. Në momentin më të mirë të Lushnjës, Apolonia kalon në avantazh. Portieri Harizaj detyrohet të luaj me këmbë, pas një topi prapa. Është një top i gjatë që fillimisht përplaset në tokë, që i shkon përshtat Trifonit. Ai pasi e merr me gjoks godet mjeshtërisht duke shënjestruar saktë në trekëndëshin e portës lushnjare, 0-1 për Apoloninë.

Trajneri Magani largon Tabakun, në lojë Endri Magani. Avantazhi i fierakëve zgjat 17 minuta. Endri Magani nga këndi kroson në zonën fierake. Harizaj del nga porta, ndërsa Ndubuisi kërcen mbi të gjithë, por e godet topin keq dhe sfera përfundon në rrjetë duke shkaktuar autogol dhe barazuar shifrat në 1-1. Goli entuziazmon lushnjarët që kanë përkrahjen e publikut. 3 minuta më vonë, Preknicaj përballë Harizajt godet topin, por portieri fierak ndërhyn me këmbë. Minuta 77, Olola tenton me një gjuajtje brenda zonës, por topi përfundon jashtë.

Në të 86-ën, kros i Endri Maganit nga e djathta. Topi mbetet në zonë, godet Kasmollari pranë portës, por topi përplaset te Ndubuisi. Në minutën e fundit të shtesës 5-minutëshe Lushnja fiton penallti, pas prekjes së topit me dorë në zonë nga mbrojtësi fierak, Enea Topi. Nga pika e bardhë godet francezi Lëru, por Harizaj kupton krahun, zhytet në të djathtë dhe devijon topin. Nuk ka fitues në derbi, gjithçka mbyllet në barazim 1-1. Apolonia mbetet e pesta dhe arrihet nga Korabi. Ndërsa Lushnja humbet një vend në tabelë, pasi e parakalon Burreli.

Magani: Dominuam, por lamë dy pikë në derbi

Gugash Magani, trajneri i Lushnjës, tha se skuadra e tij humbi dy pikë në derbin me Apoloninë. “Gjithmonë derbi është shumë i luftuar dhe shanset janë 50 me 50. Apolonia është në pozita më të mira se ne, pasi nuk kanë presionin e pikëve. Skuadra e menaxhoi shumë mirë takimin. Pjesa e dytë ishte shumë më mirë se e para, megjithatë edhe në të parën dominuam ne.

Po t’u referohemi rasteve, ishim shumë më afër golit. Apolonia u mbrojt mirë dhe na kapi me kundërsulm një moment. Na shënuan në një moment të vetëm. Skuadra gjeti forca deri në fund, barazuam dhe patëm raste më pas. Vulën ia vuri penalltia që e humbëm në minutë të fundit kur çdo gjë kishte mbaruar. Pra, humbëm dy pikë. Po të kishte luajtur skuadra gjithë kampionatin kështu, atëherë ne do të ishim në tre vendet e para të klasifikimit”, u shpreh trajneri Magani pas barazimit me Apoloninë.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"