Lushnja barazon me Tomorin, Magani paralajmëron masa për lojtarët. Ziu: E rritëm nivelin, por duhet kohë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2024 | 19:58

Lushnja barazon me Tomorin, Magani paralajmëron masa për lojtarët. Ziu: E rritëm nivelin, por duhet kohë

Lushnja shtanget nga Tomori. U shënuan katër gola dhe pati boll emocione në stadiumin “Roza Haxhiu”, por jo fitues. Edhe pse vendasit shënuan dy gola të shpejtë me francezin Lëru dhe kapitenin Canka, nuk rezistuan dot. Gjoni ngushtoi diferencat kur kishte vetëm 10 minuta në fushë, ndërsa Lila ia prishi totalisht planet verdhejeshilëve. Një pikë shprese për skuadrën e Febron Ziut, që mungonte prej plot tri muajsh…

LUSHNJA TOMORI

“SHFRYN” MAGANI : Barazimi dështim, për disa lojtarë do ketë penalizime

Gugash Magani ka mbetur i zhgënjyer nga barazimi shtëpiak. Shkon më larg, teksa paralajmëron edhe penalizime për lojtarë të veçantë. Gjatë deklaratës së dhënë pas ndeshjes për “Panorama Sport”, trajneri evidenton edhe disa gabime foshnjarake. “‘Derbit’ nuk kanë favorit dhe këtë e thashë para ndeshjes. Përplasen dy skuadra, rivaliteti i të cilave njihet. Jam shumë i zhgënjyer për mënyrën se si më kuptoi skuadra gjatë javës. E filluam lojën 2-0… Nuk është turp të dalë barazim me Tomorin, por jo në mënyrën se si shkuan gjërat. Mund ta kishim humbur. Kam shumë rezerva për lojtarë të veçantë dhe do t’i analizoj. Nga 2- 0 në 2-2, rrezikuam shumë dhe nuk më duket logjike.

Kështu që normalisht kam përgjegjësitë e mia, por edhe për lojtarë të veçantë do të kenë penalizime. Jo financiare, por mosaktivizimi. Pra, nuk do të jenë më në vijën e parë, por do të provohen të tjerët. Nuk mund ta quaj aksidental këtë barazim, edhe pse futbolli është i paparashikueshëm. Menduam se e fituam lojën, por nuk rezultoi kështu. Bëmë gabime shumë foshnjarake. Flas te rasti i golit të parë. Edhe te shkaktimi i faullit, edhe te ekzekutimi. Te mënyra e mbrojtjes së portës.

Pastaj, vazhduam pjesën e dytë po me gabime. Humbëm raste. Kur ishte loja 2-0, kur mund ta kishim vrarë ndeshjen. Por nuk e bëmë. Morëm vetëm një pikë, që për mua është dështim. Jo se e mori Tomori. Kundërshtari u tregua i saktë dhe këmbëngulës. Edhe mund ta na kishte ndëshkuar në fund…”, përfundoi peqinasi i stolit të Lushnjës.

Trajneri i Tomorit, Ziu: E rritëm nivelin, por duhet kohë

Febron Ziu i kënaqet barazimit. Mendon se skuadra ka akoma nevojë për kohë, por në kompleks vlerëson dëshirën që lojtarët shfaqën. “Kemi bërë shumë ndryshime në ekip dhe djemtë kanë nevojë për kohë për t’u akorduar me njëri-tjetrin. Por intensiteti dhe dëshira për të arritur te pikët bëri që ta ngremë nivelin. Kishim mundësi edhe për ta kthyer komplet rezultatin.

Nuk realizuam në 2-3 raste që patëm në fund të pjesës së dytë. Në radhë të parë shpresojmë të jemi në ngritje të nivelit të lojës, që është rruga më e shkurtër drejt fitores. Dhe kjo është të luash më mirë futboll, të krijosh më tepër raste sesa kundërshtari. Natyrisht, edhe t’i shfrytëzosh ato”, përfundoi trajenri i beratasve.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"