Luftëtari pret një sulmues kenian, Kostiç e njeh mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2018 | 12:40

Luftëtari pret një sulmues kenian, Kostiç e njeh mirë

Luftëtari kërkon të bëjë edhe dy goditje të fundit në merkato për të dubluar çdo pozicion. Vetë klubi gjirokastrit, përmes zëdhënësit për shtyp, Rigels Malile, konfirmoi pak ditë më parë se pritet një sulmues, i cili do t’i bashkëngjitej Vasil Shkurtajt, duke shtuar në këtë mënyrë konkurrencën në repartin e avancuar.

luft

“Panorama Sport” mëson se drejtuesit po negociojnë me një lojtar afrikan. Më konkretisht bëhet fjalë për sulmuesin nga Kenia, Ismael Dunga, i cili ka një të kaluar të afërt në Greqi. Interesant është fakti se 25-vjeçari njihet mirë nga trajneri slloven i Luftëtarit, Millosh Kostiç. Ky i fundit ka drejtuar klubin grek, Aharnaikos, dy sezone më parë dhe Dunga ka qenë pjesë e ekipit. Keniani përshtatet jo vetëm në majën e sulmit, por mund të luajë edhe nga krahët. Ai ka qenë edhe kontingjent i kombëtareve të Kenias, ndërsa në sezonin e fundit ka luajtur në Zambia, me Napsa Stars. Në klubin gjirokastrit janë të rezervuar, duke mos konfirmuar asgjë, por gjasat janë që keniani të jetë afrimi më i ri në skuadër.

Kostic

SITUATA
– Luftëtari është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e nesërme, atë me Kastriotin. Në takimin premierë të Kampionatit të 80-të të Kategorisë Superiore, Luftëtari i Millosh Kostiçit do të vuajë mungesën e dy lojtarëve me peshë. Fjala është për mesfushorin Eduart Rroca dhe qendërmbrojtësin Ivan Jakovljevic. Të dy “bluzinjtë” vijojnë të jenë të dëmtuar, por nën kujdesin e rreptë të stafit mjekësor dhe përkushtimit individual priten t’i kthehen shumë shpejt “tapetit blertë”. Reshjet e shiut që çdo pasdite janë të pranishme në qytetin e gurtë nuk kanë penguar përgatitjet për sfidën e nesërme. Të 29 lojtarët, nën drejtimin e sllovenit Kostiç, sfiduan shiun dendur, teksa kanë punuar me topin të ndarë në grupe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"