Luftë për një vend në mesfushë, Teuta e blinduar. Durrsakët e përgatisin Granadën në… Shijak

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2020 | 23:32

Luftë për një vend në mesfushë, Teuta e blinduar. Durrsakët e përgatisin Granadën në… Shijak

Teuta e drejtuar nga trajneri Edi Martini po kalon një nga periudhat më të lavdishme në historinë e saj. Brenda një muaji durrsakët fituan dy trofe, Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën, si dhe kaluan turin e parë eliminator të Ligës së Europës.

Teuta

Këto suksese, por edhe shitja e Kallakut te Lokomotiva e Zagrebit, kanë bërë që Teuta të ketë financa të shëndosha për sezonin e ri, të cilat po përdoren edhe në përforcimin e skuadrës. Erando Karabeci dhe Asion Daja janë dy transferimet e fundit që drejtuesit e klubit kanë bërë në merkaton e verës. Me afrimin e këtyre dy lojtarëve, jo vetëm që është shtuar eksperienca në radhët e Teutës, por edhe konkurrenca në mesfushë, që është një nga repartet me më shumë alternativa.

Ky bollëk në mesfushë përveçse i shërben ekipit, shikohet edhe si një “dhimbje koke” për trajnerin Martini, i cili duhet të dijë që t’i menaxhojë të gjithë dhe të mbajë ekuilibrat në ekip. Aleksi, Avdyli, Daja, Karabeci, E.Vila, F.Beqja, L.Beqja pa harruar edhe ndonjë element tjetër që përdoret në fazën sulmuese, janë lojtarët që luftojnë për një vend në mesfushë.

Teuta stervitje

Aktivizimi i tyre varet edhe nga strategjia e trajnerit për ndeshje të veçanta, apo edhe gjendja e tyre fizike në momente të caktuara. Emiljano Vila mund të përdoret edhe në krahë, ku për momentin mund të plotësojë mungesën e Çyrbjes në krahun e djathtë. Përveç Emiljano Vilës, edhe Ledio Beqja është një lojtar që mund të adaptohet në krah, duke qenë disi më i favorizuar. Pa dyshim që konkurrenca më e madhe është për qendrën e mesfushës, ku janë katër futbollistë, Aleksi, Avdyli, Daja dhe Karabeci, që luftojnë për dytri vende.

Gjithsesi, duke ditur se sezoni është i gjatë dhe i ngarkuar me ndeshje, të gjithë do të kenë kohën e tyre për të treguar veten, por mbetet për të parë se sa do të jetë durimi i lojtarëve dhe mënyra e menaxhimit nga stafi teknik. Skuadra po punon e qetë në stërvitje, pasi shtyrja e fillimit të kampionatit mund të jetë një asist për Teutën për të përgatitur si duhet ndeshjen e turit të dytë të Ligës së Europës, ku në Durrës do të presin spanjollët e Granadës.

Në drejtimin e trajnerit Martini ekipi po i kryen përgatitjet aktuale në stadiumin “Tofik Jashari” në Shijak, në mënyrë që lojtarët të kenë mundësi të stërviten në fushë me bar natyral, si dhe të ruajnë tapetin e stadiumit “Niko Dovana” për ndeshjen me Granadën.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"