“Luajmë futboll tjetër”, Longo i sfidon të gjithë: Kam 4 kundërshtarë, do të jemi surpriza e sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2021 | 15:46

“Luajmë futboll tjetër”, Longo i sfidon të gjithë: Kam 4 kundërshtarë, do të jemi surpriza e sezonit

Diego Longo do të bëjë debutimin e tij si trajner i Kukësit këtë të diel në Rrogozhinë përballë Egnatias dhe italiani shpreson ta nisë me këmbën e mbarë.

diego longo

Në prononcimin e dhënë për mediat, ai pohon se nuk hyjnë favoritë, por do të tentojnë maksimumin. Longo flet edhe për futbollin shqiptar në tërësi, ku premton se do të sjellë një futboll ndryshe, duke përgëzuar lojtarët që ai stërvit.

Në lidhje me kampionatin, ai pohon se janë pas katër skuadrave dhe se 21 pikët disavantazh të sezonit të kaluar nuk zhbëhen lehtë, por do të mundohen që pas çdo ndeshjeje të rikuperojnë. Sa i përket titullit, Longo tregohet i kujdesshëm, nuk e premton atë, pasi është shumë herët për të folur.

Jemi në prag të nisjes së kampionatit. Si e shihni skuadrën tuaj?

E shoh mirë, jam shumë optimist sepse kam besim te ky grup dhe këta djem këtu. Ata kanë vlera edhe përtej fushës, në atë human, ku janë djem të jashtëzakonshëm.

Kanë treguar se në këta dy muaj nuk ankohen kurrë, arrijnë të kalojnë vështirësitë objektive që kemi çdo ditë dhe kjo, falë mentalitetit të tyre fitues. Fituesi i kalon vështirësitë, ndërsa ai që ankohet nuk bën asgjë për ta zgjidhur. Edhe kur janë në fushë, përpiqen t’i zgjidhin situatat dhe kjo më bën krenar.

Si e shihni futbollin shqiptar në këta dy muaj, është fizik apo më shumë teknik?

Futbolli shqiptar është interesant dhe nuk e prisja kështu. Gjithsesi, është shumë fizik, si për sa i përket forcës ashtu edhe lojës, me shumë duele dhe topa të gjatë. Por, befasohem teksa shoh skuadra të sapongjitura si Dinamo apo Egnatia, të cilat janë kaq të organizuara në nivel klubi.

Kjo do të thotë që po bëjnë një punë të mirë të gjithë dhe jo vetëm Partizani apo Tirana, gjë që të gjithë e presin, por edhe këto të sapongjitura. Ndaj, kjo gjë më ka befasuar. Sa i përket aspektit të lojës, ndoshta ne jemi pak ndryshe me futbollin shqiptar, sepse ne luajmë në mënyrë tjetër.

Si luani ju?

Do ta shihni të dielën, por mua më pëlqen të luajmë me topin, ta mbajmë, të kërkojmë hapësira për të sulmuar. Shpresoj që të arrijmë ta konfirmojmë, por jam i sigurt që do ta bëjmë atë që kemi bërë në këta muaj stërvitjeje. Ndaj, jam shumë besimplotë.

Për të bërë këtë futboll duhet edhe një skuadër teknike, e keni ju?

Më shumë sesa një skuadër teknike, sipas meje, duhet një mentalitet i drejtë. Në fund një futbollist i nivelit mesatar mendoj se mund të bëjë një pasim 10 apo 15 metra. Problem është mentaliteti ndryshe, dëshira për të provuar gjëra të reja dhe për t’i ndryshuar ato.

Kukesi stervitje

Kjo gjë nuk më ka pëlqyer, sepse kam dëgjuar shpesh që në Shqipëri nuk mund të bëhet, se është një mënyrë e shëmtuar për të mos u dhënë besim lojtarëve. Sipas meje, mund të bëhet, unë nuk besoj se kam fenomenë në krahasim me ekipet e tjera. Edhe pse, ka skuadra që kanë pasur 21 pikë avantazh sezonin e kaluar, të cilat janë të avantazhuar dhe ne nuk jemi mes favoritëve. Por, ne do ta provojmë dhe besoj se është e drejtë për të provuar të ndryshojmë gjërat për mirë dhe të tentojmë të kalojmë limitet, ndaj do ta provojmë.

Do të provoni për të imponuar lojën tuaj, po për titullin do ta provoni?

Gjëja më e rëndësishme sot për sot është Egnatia, që është një ekip i organizuar, i fortë dhe me ambicie. Ata kanë një projekt të ri këtë vit, me stadiumin gati dhe kanë kushtet si ekipet e tjera në Europë.

Ndaj, nuk mund të hyjmë te pjesa e favoritëve, por objektivi ynë është ta fitojmë këtë ndeshje, më pas objektivi do të jetë të fitojmë të dytën edhe me radhë pastaj. Nuk mund të mendojmë që tani për kampionatin, sepse kemi 21 pikë më pak në krahasim me skuadrat e tjera dhe këto janë të dhënat e klasifikimit. Ne duhet të luftojmë çdo stërvitje, çdo ndeshje për të fituar dhe bërë mirë.

Cilat janë dy apo tri skuadrat më të forta të kampionatit?

Kam parë mirë Partizanin dhe kanë shumë kualitet, me lojtarë cilësorë dhe kanë pamjen e një ekipi që ka eksperiencën për të fituar, janë një klub solid. Shoh mirë Tiranën, Vllazninë dhe Teutën kampione. Në letër mund të thuhen shumë gjëra, por ato janë skuadrat për t’u mundur dhe janë katër. Sipas meje, është e vështirë për t’i arritur, por ne mund t’i kalojmë vetëm nëse mendojmë ndeshje pas ndeshjeje.

Sa e vështirë është të luani jashtë shtëpisë suaj?

Për ne është njëlloj, si të luajmë këtu apo në një stadium tjetër. Luajnë 11 kundër 11, nuk kemi alibi dhe nuk do t’i krijojmë. Për ne është njëlloj.

V. MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"