“Loro Boriçi” si kështjellë, shkodranët 3 vite pa humbje ndaj Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2024 | 18:02

“Loro Boriçi” si kështjellë, shkodranët 3 vite pa humbje ndaj Laçit

Vllaznia pavarësisht se në fushën e vet ka pasur statistika të mira ndaj Laçit, sërish përballjet me kurbinasit kanë rezultuar gjithnjë të forta dhe të vështira. Megjithatë, në tre vitet e fundit kuqeblutë duket se janë superior ndaj bardhezinjve. Kurbinasit nuk luftojnë për zonat europiane, siç kanë bërë në të shkuarën, por për mbijetesën në Kategorinë Superiore.

vllaznia

 

 

Pavarësisht kësaj, ekipi i drejtuar nga Armando Cungu meriton respektin dhe vlerësimin maksimal në ndeshjen e fundjavës. Këtë e vërtetoi edhe fitorja e fundit në Durrës kundër Teutës me shifrat 0-1. Sukses, që tregoi se bardhezinjtë kanë kualitetin e duhur në skuadër, aq për t’i bërë dëme edhe të mëdhenjve në letër. Laçjanët do të tentojnë të marrin pikë, për t’u larguar sa më shumë nga zona e ftohtë e renditjes. Megjithatë, statistikat tregojnë se një fitore e kurbinasve në Shkodër mungon prej tre vitesh.

Për herë të fundit bardhezinjtë kanë fituar në “Loro Boriçi” me rezultatin 1- 2, më datë 5 shkurt 2021, ku golin e Demir Imerit për Vllazninë e bënin të pavlefshëm golat e Nuabueze dhe Harmon për laçianët. Që nga ajo periudhë, në ndeshjet e zhvilluara mes kampionatit dhe Kupës, Vllaznia ka marrë 4 fitore dhe 3 barazime në duelet si pritëse ndaj Laçit. Këto statistika patjetër kuqeblutë do të kërkojnë t’i pasurojnë ditën e shtunë. Barazimi kësaj here nuk mund të quhet rezultat pozitiv për asnjërën prej skuadrave. Ky rezultat në këto momente në Shkodër mund të ndikojë direkt në rrugëtimin e saj drejt një vendi të dytë në renditje.

Për të besuarit e teknikut Cungu një pikë mund të ketë vlerë vetëm se po arrihet në Shkodër ndaj Vllaznisë, por mund ta lërë sërish në ethet e rënies nga kategoria. Prandaj të dy skuadrat në këtë përballje do të kenë si objektiv të vetëm arritjen e tri pikëve.

A.URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"