Lojtarët me probleme muskulore, Apolonia befasohet nga Egnatia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2020 | 23:30

Lojtarët me probleme muskulore, Apolonia befasohet nga Egnatia

Nën masa të rrepta të sigurisë shën detësore, ndonëse janë “zona të gjelbra”, Apolonia dhe Egnatia luajtën dje një miqësore në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit. Ishte një test i kërkuar nga trajnerët Artan Mërgjyshi dhe Artan Bano për të parë gjendjen e lojtarëve pas periudhës së gjatë të ndërprerjes së kampionatit nga pandemia e koronavirusit. Lojtarët kanë shfaqur jo pak probleme në këtë ndeshje testuese.
apolonia egnatia
Te fierakët kanë pasur probleme muskulore dhe janë zëvendësuar shpejt gjatë pjesës së parë lojtarë si Zaimaj, Mihana dhe Ejoh, ndërsa te rrogozhinasit është dëmtuar në shpatull sulmuesi Jaupaj. Apolonia ka luajtur më mirë dhe duket se është më para me përgatitjet, por Egnatia ka shfrytëzuar përvojën e lojtarëve të saj dhe ka fituar 1-2.

Në minutën e 13-të, pas një krosi të Krasniqit drejt qendrës, Mihana ka gjuajtur saktë dhe ka kaluar në avantazh Apoloninë. Egnatia barazon shpejt, në të 18-ën, kur Meta kroson nga këndi dhe Markos në shtyllën e dytë shënon me lehtësi. Ekipi i Banos mbrohet mirë dhe zbret rrezikshëm drejt portës së Harizajt. Në minutën e 32-të Meta rrëzohet në zonën fierake pas një kontakti me Dudën dhe ka penallti për Egnatian, që e shndërron në gol kapiteni fierak i rrogozhinasve, Amarildo Dimo.

Ymeraj, Zoga dhe Krasniqi kanë mundësi të mira për të barazuar, por rezultati nuk ndryshon. Në pjesën e dytë duhet theksuar se loja ka ritëm të ulët dhe dy trajnerët kanë kryer shumë zëvendësime. Te fierakët luajti edhe mesfushori tiranas Tafa, i cili do të testohet nga stafi teknik për të ardhmen e Apolonisë.

Ishte kjo miqësorja e parë e këtyre përgatitjeve dhe deri më 14 qershor, kur do të zhvillohet derbi me Lushnjën në Fier, pritet të ketë edhe ndonjë ndeshje tjetër testuese, pasi edhe forma fizike e futbollistëve do të vijë duke u rritur.

APOLONIA EGNATIA

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"