“Lojtarët e huaj respektohen më shumë në Shqipëri”, kapiteni i Kastriotit: Vitin e kaluar klubi i Partizanit u hodh kundër meje, duke besuar verbërisht te…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2023 | 22:03

“Lojtarët e huaj respektohen më shumë në Shqipëri”, kapiteni i Kastriotit: Vitin e kaluar klubi i Partizanit u hodh kundër meje, duke besuar verbërisht te…

Në mars të vitit të kaluar, në një ndeshje të vlefshme për Kategorinë Superiore mes Kastriotit dhe Partizanit, që përfundoi 1-0 për krutanët, sulmuesi brazilian, Stenio Zhunior, akuzoi kapitenin e krutanëve, Sokol Neziri, se kishte përdor ndaj tij gjuhë raciste.

neziri

Mirëpo, duke parë rastin e fundit të ish-mesfushorit të Partizanit, Masanga Matondo, i cili shfaqi pretendime ndaj klubit të kuq, duke theksuar se disa drejtues nuk kishin sjellje të mirë ndaj lojtarëve me ngjyrë, Neziri ka reaguar dje për “Panorama Sport”. Mbrojtësi i djathtë, që këtë sezon është sërish pjesë e Kastriotit, deklaroi se koha i dha të drejtë atij.

“Në vitin e kaluar klubi i Partizanit u hodh kundër meje, duke besuar verbërisht te fjalët e Stenio Zhuniorit, mirëpo nuk morën parasysh se si u ndjeva unë. Po tani si mund të ndihen te Partizani? Sepse unë e di shumë mirë që nuk është e vërtetë ajo që pretendon ish-lojtari i tyre. E di shumë mirë se si trajtohen lojtarët me ngjyrë te Partizani dhe te çdo klub tjetër në Shqipëri…

Në vendin tonë, më shumë respektohen të huajt, sesa lojtarët shqiptarë nga drejtuesit e klubeve. Kjo vjen, sepse jemi një vend shumë mikpritës dhe presidentët gjithashtu mendojnë që t’u qëndrojnë afër dhe ne si lojtarë vendës t’i ndihmojmë, në mënyrë që t’i japim një shtysë më shumë për t’u përshtatur, qoftë nga ana sportive, ashtu edhe monetare.

Gjithashtu, në atë periudhë doli edhe një person që i ishte harruar emri edhe donte t’i kujtohej, duke e mbajtur veten si drejtor në Itali dhe kritikonte Partizanin që nuk kishte bërë asgjë për të mbrojtur lojtarin dhe të dënohesha unë. Harrojeni, nuk ka racizëm në Shqipëri! Kam qenë edhe te Flamurtari në sezonin e kaluar dhe kishim 10 lojtarë me ngjyrë. Presidenti Idrizi dhe drejtuesit e tjerë të klubit, çdo javë pinin kafe dhe drekonin me të gjithë të huajt.

Për çdo problem që ata kishin, ishin të parët që u zgjidhej. Po ashtu, edhe te Kastrioti, presidenti, për çdo gjë, na thotë që të parët duhet të kujdesemi për të huajt, sepse janë larg shtëpisë. Në këtë mënyrë mbështesim njëri-tjetrin dhe mbajmë fort atmosferën. Koha është flori dhe tregon çdo gjë, ashtu si në rastin tim, prandaj dhe reagoj në këtë situatë”, ka thënë të premten 27-vjeçari krutan, Neziri.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"