Lojtarët ankohen tek Idrizi për formacionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2015 | 10:42

Lojtarët ankohen tek Idrizi për formacionin

Flamurtari ne stervitjeTe Flamurtari ka pakënaqësi për formacionin. Lojtarët janë ankuar tek administratori Sinan Idrizi për minutazhin e vogël që i është dhënë. Lënia në tribunë apo stoli nuk po pranohet nga futbollistët, dhe ky fakt ka bërë që futbollistët, sidomos të huajt, t’i drejtohen kreut të klubit. Fakti që trajneri Ernestino Ramela i ka nxjerrë jashtë formacionit titullar, ka sjellë reagimin e lojtarëve. Kjo situatë mësohet se nuk është pritur mirë nga lojtarë si Tomiç, Nikoliç, apo edhe Hoxha.

Ky i fundit, u pa madje në ndeshjen me Tiranën e shfaqi hapur revoltën e tij, duke iu ankuar italianit për zëvendësimin e tij. Por nga ana tjetër, pa asnjë shpjegim, trajneri ka lënë në tribunë edhe një nga sulmuesit kryesor, Arbër Abilaliaj.

Por jo vetëm kaq, pasi nga stoli e nisi edhe Erjon Vucajn, të cilin e aktivizoi vetëm në pjesën e dytë kundër bardhebluve. Në ndeshjen e kaluar u panë në tribunë edhe kapiteni Veliu, që në fakt ishte edhe i dëmtuar, por edhe Idrizaj së bashku me Metajn. Në këto kushte, lënia e shumë lojtarëve titullarë në stol apo përfundimi i tyre në tribunë, ka sjellë pakënaqësi te lojtarët, të cilët mësohet se ditët e fundit janë ankuar tek administratori Idrizi.

“Nuk e kuptojmë pse nuk po aktivizohemi dhe lihemi në stol. Ne jemi të gatshëm dhe në gjendje shumë të mirë. Nuk po na pëlqen kjo situatë, pasi nuk po na jepen shpjegime në lidhje me shkakun që ne nuk aktivizohemi”, mësohet se janë shprehur lojtarët në komunikimin me administratorin.

Reagimi i Idrizit I kontaktuar nga “Panorama Sport”, administratori ka reaguar për këtë çështje. Sinan Idrizi ka sqaruar se kjo zgjedhje ka ardhur pasi Flamurtari ka dalë nga objektivat. Ndaj edhe po u jepet shansi pjesës tjetër të lojtarëve. Kjo është strategjia për të përzgjedhur më të mirën për sezonin e ardhshëm. Idrizi tha se stafi teknik apo klubi nuk ka asnjë problem me asnjë futbollist, por duket se ata nuk e kanë justifikuar besimin, madje edhe kur janë aktivizuar, ekipi ka humbur.

“Duhet të dini një gjë. Ne nuk kemi probleme me asnjë lojtar që e kemi ulur në stol se nuk e duam apo e kemi inat, jo. Problemi është se ne kemi shënuar gjashtë humbje radhazi dhe kur në fushë në 70-80% të rasteve kanë qenë nga këta lojtarë që në disa ndeshje mund të kenë qenë në stol apo në tribunë, ne kemi humbur. Pra, këta lojtarë duhet që ta shikojnë më shumë problemin te vetja e tyre. Unë nuk ndë- rhyj në formacion te trajneri, e di vetë stafi teknik se kë aktivizon dhe kë jo, pasi në fund e mban vetë përgjegjësinë. Por unë dua që t’u them lojtarëve që ta shikojnë më shumë problemin te vetja e tyre, aty ta kërkojnë edhe përgjigjen. Ju e dini tani që ne kemi dalë nga objektivat dhe se nuk kemi çfarë të humbasim. Në këto kushte ne po mendojmë për ndërtimin e ekipit për sezonin e ardhshëm”, është shprehur Idrizi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"