Llullaku: Refuzova më të mirët e Polonisë, vendosi paga dhe UCL

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2016 | 14:34

Llullaku: Refuzova më të mirët e Polonisë, vendosi paga dhe UCL

Futbollisti i kombëtares shqiptare, i cili sot firmosi për t’u transferuar tek Astana në Kazakistan, ka dhënë deklaratën e parë për “Supersport” në lidhje më këtë ndryshim në karrierën e tij. Ai ka treguar se ka refuzuar ofertat e klubeve të njohura polake si Legia e Varshavës dhe Leh Poznan.

llullaku

Për zgjedhjen e Astanës

“Sinqerisht jam shumë i kënaqur edhe për zgjedhjen që bëra. E vendosa këtë klub së bashku me familjen. Kishte edhe opsione të tjera, por në fund zgjodhëm këtë sepse luan në Champions dhe Europa League. Jam shumë i lumtur që u finalizua transferimi im te Astana.

Kanë qenë disa skuadra në Turqi që shfaqën interes të madh. Ishin edhe Legia e Varshavës dhe Leh Poznan. Por, në fund zgjodha Astanën. Aty ishte edhe menaxheri Shkumbin Qormemeti dhe kjo ishte një kënaqësi edhe më e madhe për mua. Ai më ndihmoi dhe jam shumë i kënaqur.”

Për pagën

“Sinqerisht këto vite që kam luajtur në Rumani, niveli ekonomik nuk ishte shumë i lartë. Prej kontratës nuk kisha mundësi të ndryshoja ekip, edhe pse e kisha shansin të fitoja disa para më tepër. Në moshën 29-vjeçare duhet të shohësh edhe pak anën ekonomike.”

Për objektivin personal te Astana

“Shpresoj që vazhdoj të shënoj me po kaq vazhdimësi, pasi kjo është e rëndësishme. Objektivi im është të qëndroj me këmbë në tokë dhe të vazhdoj edhe më mirë. Shpresoj ta ndihmoj ekipin me lojë dhe me gola.”

Për pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve

“Ëndrra ime, ashtu si e të gjithë lojtarëve, ka qenë të luaj në aktivitetet më të rëndësishme. Astana ka fituar kampionatin dhe ka shansin të marrë pjesë në Champions. Për këtë do të punoj shumë, për të luajtur titullar dhe të aktivizohem në kupat e Europës.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"