VIDEO/ Egnatia e pagabueshme! Kthehet në finalen e Kupës pas dramës me 10 lojtarë dhe shtesa ndaj Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2024 | 23:59

VIDEO/ Egnatia e pagabueshme! Kthehet në finalen e Kupës pas dramës me 10 lojtarë dhe shtesa ndaj Vllaznisë

Egnatia është kthyer për të dytin edicion radhazi në finalen e Kupës së Shqipërisë, pasi ka kaluar falë kohëve shtesë Vllazninë në një duel dramatik në “Loro Boriçi”.

bandicam 2024-04-24 18-01-23-214

Shkodranët dominuan pjesën e parë, duke synuar që të gjenin golin që do të barazonte duelin pas humbjes 1-0 ndaj rrogozhinasve në transfertë. Ata krijuan më shumë lojë dhe raste, të ndihmuar edhe nga dëmtimet e lojtarëve kyç të skuadrës së Tetovës si Zejnullai dhe Ndreca.

Goli i Alivodës barazoi duelin, teksa bëri që ndeshja të bëhej më e kujdesshme nga të dy ekipet. Ata nuk arritën të shënonin më, duke çuar ndeshjen në shtesa. Aty ishte fillimisht Aleksi i cili komplikoi planet e skuadrës së tij me një karton të kuq. Por në minutën e 103-të, Montenegro gjeti golin e barazimit të kësaj sfide, duke kthyer Egnatian në avantazh në bilancin  e përgjithshëm.

Rezultati nuk ndryshoi në fund dhe kështu, Egnatia siguroi një tjetër finale të Kupës së Shqipërisë, ku do të kërkojë të përsëritë suksesin e sezonit të kaluar ku bëri të sajën trofeun. Këtë herë do të ketë përballë Kukësin, në finalen që luhet më 14 maj në “Air Albania”.

VLLAZNIA-EGNATIA 1-1
29′ Alivoda / 103′ Montenegro

NGJARJET KRYESORE

120’+2’ Mbyllet ndeshja! Egnatia kualifikohet me rezultatin e përgjithshëm 2-1.

120’ Jepen 2 minuta shtesë.

118’ Pas një topi në zonë, Juriç gjuan por gjen përgjigjen e Sherrit me këmbë, ndërsa më pas Sala gabon një penallti në ecje duke çuar sferën mbi traversë. (VIDEO)

117’ Malota ndëshkohet me karton të verdhë për një largim topi.

113’ Delaj hyn në fushë në vend të Jago të Vllaznia. Xhoel merr vendin e Montenegros në radhët e miqve.

112’ Kundërsulm i Spahiut i cili shkon në zonë dhe gjuan, por gjen Qarrin në pozicion. (VIDEO)

110’ Nuk arrin të krijojë raste të rrezikshme skuadra shkodrane, harkimet drejt zonës janë të gjitha të gabuara në këto minuta.

108’ Sala ndëshkohet me karton të verdhë.

106’ Ajdareviç dhe Bruno Gomesh hyjnë në fushë në vend të Grudës dhe Krymit.

105’+1’ Mbyllet shtesa e parë, tani është Egnatia që kualifikohet me këtë rezultat. 

105’+1’ Predhë e Fernandos nga jashtë zonës, Qarri grushton sferën dhe mban në lojë ekipin.

105’ Jepet 1 minutë shtesë.

103’ GOOOL EGNATIA! Pas një goditje nga këndi të rrogozhinasve, një gjuajtje me kokë e Xhemajlit kthehet nga traversa dhe më pas Montenegro e shtyn në rrjetë pas pasimit te Dulis. (VIDEO)

97’ Tani është Vllaznia që kontrollon lojën në mesfushë, falë epërsisë numerike, ndërsa miqtë janë tërhequr para zonës së tyre.

92’ Shkodranët kërkojnë karton të verdhë për Aleksin, por ndëshkohet edhe Krymi për protesta. Gjyqtari i tregon të dytin e verdhë mesfushorit duke lënë miqtë me 10 futbollistë. (VIDEO)

91’ Nis pjesa e parë shtesë në Shkodër.

90’+4′ Mbyllet koha e rregullt me fitoren 1-0 të Vllaznisë, Duhen shtesat për fituesin.

90’ Jepen 3 minuta shtesë.

87’ Dominim i plotë i miqve në këto minuta, me shkodranët e mbyllur në zonën e tyre. Spahiu tenton nga e djathta me një diagonale, sfera nuk gjen portën.

84’ Montenegro ndëshkohet me të verdhë për një faull ndaj Pusit.

83’ Kombinime të bukura të miqve në krahun e majtë, Drame gjen Spahiun, por gjuajta e tij e fortë ndalet nga Jago.

82’ Dy këndore radhazi për Vllazninë, mbrojtja mike largon rrezikun.

77’ Ndërhyrje e Xhemajlit ndaj Çobës, gjyqtari jep të verdhë për mbrojtësin e Egnatias dhe pastaj ndëshkon me të kuq dhe të verdhë pjesëtarë të stafit të kuqebluve që kërkonin të kuq. (VIDEO) (VIDEO)

76’ Boshnjaku freskon mesfushën me aktivizimin e Salës në vend të Boshnjakut.

75’ Spahiu nga e majta harkon në shtyllën e dytë ku Montenegro devijon por jo sa duhet për të çuar topin në rrjetë.

72’ Drame dhe Spahiu hyjnë në fushë në radhët e rrogozhinasve, duke marrë vendin e Ahmetajt dhe Ramës.

70’ Aleksi nis një top të gjatë për Montenegron, Qarri del dhe me këmbë largon sferën në anësore.

68’ Tani është Egnatia që sulmon e krijon me Fernandon i cili vë në provë reflekset e Qarrit me një gjuajtje nga e majta. (VIDEO)

67’ Çoba hyn në fushë në vend të Malës në radhët e shkodranëve.

65’ Aksion i rrjedhshëm i rrogozhinasve, Montenegro pason për Ramën në të djathtën ku mesfushori gjuan, por gjen vetëm rrjetën e jashtme. (VIDEO)

61’ Rama harkon në zonë nga e djathta, Montenegro provon me kokë të ulë topin por Krymi largon rrezikun.

57’ Fangaj ndëshkohet me karton të verdhë pasi pengon rivënien e lojës nga Qarri.

54’ Përsëri Gruda dhe përsëri Sherri! Sulmuesi shfaqet në të majtën dhe lëshon një gjuajtje të fortë, portieri e grushton në këndore. (VIDEO)

52’ Harkimi në zonë nga e majta gjen Balajn i cili devijon me kokë, ndërsa Sherri grushton dhe largon rrezikun. (VIDEO)

51’ Përsëri Gruda nga e majta hyn në zonë, por pastaj vonohet dhe as nuk pason e as nuk gjuan siç duhet, duke fituar vetëm një këndore.

48’ Gruda nga e majta hyn në zonë dhe fiton një këndore pas devijimit të Dulis.

46’ Asnjë lëvizje tjetër në radhët e dy skuadrave, rifillon sfida.

45’+7’ Mbyllet pjesa e parë e ndeshjes me avantazhin 1-0 të Vllaznisë.

45’+6’ Karton i verdhë për Alivodën për një faull ndaj Dulis.

45’+6’ Mala niset në një kundërsulm të shpejtë, pasimi i tij për Balajn ndalet nga Ahmetaj i cili shmang probleme para portës.

45’+4’ Aleksi nga e majta harkon në zonë në shtyllën e dytë, Jago largon topin në këndore.

45’+2’ Ibrahimoglu provon nga distanca, sfera shkon shumë larg portës vendase.

45’ Jepen 6 minuta shtesë.

45’ Ahmetaj ndëshkohet me të verdhë pasi godet me bërryl Grudën i cili po mundohej t’i merrte topin.

43’ Jago nis një tjetër top për Alivodën ne qendër, ku mesfushori provon të godasë, por shumë lehtë duke mos shqetësuar Sherrin.

41’ Egnatia mundohet të krijojë aksion të rrezikshëm në të majtën me Fernandon, pasimi i tij në qendër devijohet dhe përfundon në fundore.

39’ Zbritje e shpejtë e miqve me Fangajn, i cili gjuan nga distanca., por çon sferën në duart e Qarrit. (VIDEO)

36’ Ndeshja tashmë është bërë shumë e zjarrtë, me përplasje mes lojtarëve sidomos në mesfushë. Rrogozhinasit ende nuk kanë dhënë sinjalet e para drejt portës vendase.

29’ GOOOL VLLAZNIA! Pas një aksioni të gjatë të skuadrës, topi shkon te Alivoda i cili me një predhë dërgon sferën në trekëndësh. (VIDEO)

27’ Gjuajtje e fortë e Boshnjakut, sfera shkon në duart e Sherrit.

26’ Harkim i Alivodës nga e djathta, Sherri grushton dhe pastaj përplaset me Dulis e kërkon ndihmën e mjekëve. (VIDEO)

24’ Zejnullai dhe Ndreca, gjithashtu i dëmtuar, largohen nga fusha e lojës për t’i bërë vend Xhemajlit dhe Ahmetajt.

23’ Zejnullai ulet në tokë dhe nuk mund të vazhdojë me pasi ka marramendje, rrogozhinasit bëhen gati për një ndryshim.

20’ Jago nis një top në thellësi për Balajn, por ky i fundit nuk kontrollon siç duhet sferën dhe ajo shkon te Sherri.

15’ Mundësi e artë për Vllazninë, pas një harkimi nga e djathta. Gruda i vjedh kohën Ramës dhe gjuan me kokë duke mposhtur Sherrin, por Malota largon sferën para se të kalojë vijën fatale. (VIDEO)

13’ Gruda fiton topin në krahun e majtë të sulmit, harkimi i tij në qendër është krejtësisht i gabuar dhe sfera shkon jashtë.

11’ Ndreca ndal një sulm të Malës para se ky i fundit të hynë në zonë dhe kërkon ndihmën e mjekëve.

10’ Ndreca harkon nga e majta, Juriç largon me kokë sferën nga zona.

8’ Ndeshja është shumë e vrullshme në këto minuta, me të dy skuadrat që mundohen të krijojnë sa më shpejt raste të rrezikshme, duke gabuar pasimin e fundit.

4’ Zejnullai merr ndihmën e mjekëve dhe për fat të mirë kalon gjendjen e tronditjes. Ai largohet përkohësisht nga fusha e lojës dhe ndeshja rifillon.

2’ Menjëherë ndalet loja për një moment që krijon panik, pasi Zejnullai pas një dueli ajror përplaset keq në tokë. (VIDEO)

1’ Nis dueli në “Loro Boriçi”.

FORMACIONET ZYRTARE

VLLAZNIA: Qarri, Smajli, Pusi, Juriç, Jago, Krymi, Boshnjaku, Alivoda, Mala, Gruda, Balaj.
Trajner: Qatip Osmani

EGNATIA: Sherri, Dulis, Malota, Ndreca, Fangaj, Aleksi, Rama, Zejnullai, Fernando, Ibrahimoglu, Montenegro.
Trajner: Edlir Tetova

WhatsApp Image 2024-04-24 at 5.09.11 PM

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"