“Lista e zezë”, 3 lojtarë të Flamurtarit rrezikojnë stol dhe gjoba

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2023 | 23:23

“Lista e zezë”, 3 lojtarë të Flamurtarit rrezikojnë stol dhe gjoba

Flamurtari po “zien”. Më shumë se humb ja në Burrel, shqetëson paraqitja. Disa lojtarë nuk kanë bindur dhe janë vënë në “shënjestrën” e drejtuesve. Më saktë, të Sinan Idrizit. Administratori e dha një paralajmërim të fortë:

FLAMURTARI

“Do të respektoj kontratat. Por ata që nuk bindën, nuk do të luajnë më”. Ndonëse u tregua i rezervuar për këtë pjesë kur foli për gazetën, e ka “gatuar” formën se si do t’i ndëshkojë. Veç formacionit, por mendon që të aplikojë edhe gjoba.

JA EMRAT

Pas interesimit, “Panorama Sport” ka zbuluar ekskluzivisht emrat. Bëhet fjalë për Elvi Berishën, Mateus Indion dhe Aleksa Mrdjën. Klubi ka piketuar futbollistët që kanë zhgënjyer në këto 9 javë me paraqitjet në fushë, duke mos justifikuar aspak besimin e drejtuesve.

Duket pak e çuditshme që kjo ndodh pikërisht tani, në një kohë kur të tre këta lojtarë janë futur vetëm si zëvendësues në transfertën e fundit. Ai që ka zhgënjyer më shumë administratorin, është ish-sulmuesi i Skënderbeut.

Gjatë takimit të zhvilluar me drejtorin Alfred Ferko, Sinan Idrizi mësohet t’i ketë thënë: “Te Skënderbeu kemi parë një Berishë tjetër, nuk është ky që po shohim në Vlorë. Këtu është një lojtar që nuk duket fare në fushë, nuk vrapon, nuk lufton siç duhet për fanellën”.

Nuk po bind as Da Cunha Gomes Mateus, ose siç njihet ndryshe Mateus Indio. Mesfushori më shumë ka ngrohur stolin në këto javë, pasi ndaj tij ka pasur pakënaqësi sa i përket performancës që ka shfaqur në takimet, ku është aktivizuar. Edhe 27- vjeçari është përfshirë në “listën e zezë”. Nuk po bind as Aleksa Mrdja. Serbi që luan si mbrojtës, ka pasur paraqitje të dobëta.

Aq shumë të mërzitur janë në klub me ta, sa po shikojnë edhe opsionin e gjobitjes së tyre. Duke u bazuar sigurisht në klauzolat që kanë kontratë. Në një takim të fundit që ka zhvilluar me drejtorin e klubit, Alfred Ferko, administratori Sinan Idrizi e ka urdhëruar që të shkojë të ndjekë ekipet e akademisë dhe të afrojë në skuadër sa më shumë futbollistë vlonjatë. Çka do të thotë se klubi po hedh vështrimin tashmë nga lojtarët vendës…

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"