Liga e Kampioneve për femra / Jashari: Vllaznia ka shanse për kualifikim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2017 | 21:26

Liga e Kampioneve për femra / Jashari: Vllaznia ka shanse për kualifikim

Përtej të nxehtit të madh, kampionia e Shqipërisë në futbollin e femrave, Vllaznia, ka shtuar “dozën” e përgatitjeve në prag të kualifikueseve të Champions League. Shkodranet janë në Grupin 10 së bashku me boshnjaket e SFK 2000 Sarajevo, greket PAOK-ut dhe luksemburgaset e Betemburg. Bosnjë-Hercegovina do të jetë pritëse e kualifikueseve nga 22-28 gusht.

vllaznia femra kampion1

Në një prononcim për “Panorama Sport”, titullarja e kampioneve dhe kombëtares shqiptare Suada Jashari pranoi konkurrencën e fortë në grup, por nuk e fsheh optimizmin përpara aventurës europiane për të thyer përse jo tabunë e kalimit për në fazën tjetër. “Këtë edicion nuk ka ndonjë ndryshim të madh në formacion përveç pak futbollisteve që kanë ardhur në merkaton e fundit. Ne po përgatitemi maksimalisht që të paraqitemi sa më mirë. Në gjithë këto vite ne kemi ecur me mendimin që kemi shanse për t’u kualifikuar për më tej, kësisoj edhe kësaj here jemi duke u përgatitur në atë drejtim. Shpresojmë t’ia dalim këtë pjesëmarrje”, deklaroi Jashari.

vllaznia femra kampion

Sipas saj, pikë e fortë e skuadrës është fakti që një pjesë e madhe e lojtareve prej vitesh luajnë bashkë. “Në sezonet e mëparshme nuk e kemi kaluar grupin. Kemi qenë shumë afër para 3 vjetësh, por s’e realizuam dot objektivin. Sa u përket kundërshtarëve, me ekipin boshnjak kemi luajtur në disa miqësore, ndërsa me dy ekipet e tjera nuk jemi ballafaquar asnjëherë. Dihet se PAOK-u dhe ekipi boshnjak janë ekipe me më shumë eksperiencë se ne dhe të forta si rivale. Ndërkohë mendoj se grupi në tërësi është një pikë e fortë e Vllaznisë. Jemi disa lojtare që luajmë prej disa vite bashkë dhe shpresojmë ta mbyllim me sukses këtë vit”.

Në fund, Jashari shprehu kënaqësinë edhe për përfaqësimin e radhës të Kosovës me futbollin e femrave me Hajvalinë. “Më vjen shumë mirë që edhe Kosova është pjesëmarrëse në garat europiane. Kanë një grup të vështirë dhe uroj të paraqiten sa më mirë”, e mbylli deklaratën mesfushorja Jashari.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"