Legjenda vlonjate “skanon” Flamurtarin: Mbrojtje ordinere, Tirana nuk është ‘kalë i ngordhur’ si Kastrioti (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2018 | 20:00

Legjenda vlonjate “skanon” Flamurtarin: Mbrojtje ordinere, Tirana nuk është ‘kalë i ngordhur’ si Kastrioti (E PLOTË)

Rrapo Taho “skanon” Flamurtarin. E shikon ekipin më mirë se sezonin e shkuar, por sërish nuk i shmang kritikat. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-lojtari shpreh rezerva për të gjitha repartet, ndërsa gabimet e mbrojtjes i konsideron amatoreske. Të vetmin që vlerëson në defensivë është Fjoralb Deliaj. Gjithsesi, ish-mbrojtësi e shikon pretendent për titull këtë ekip.

rrapo taho

Taho, po shohim një Flamurtar me oshilacione. Pse kjo situatë?

E kam thënë edhe më parë, ekipi akoma nuk është i konsoliduar. Ndoshta Ilir Daja nuk ka pasur shumë kohë në dispozicion, por nuk duhet që të mbështetemi këtu. Më vjen keq që Flamurtari ka ngritje edhe ulje. Por dua t’i referohem ndeshjes së fundit, ku vlonjatët u kënaqën me një pjesë loje, e cila ishte e bukur. Kishte goditje, sulm të shpejtë dhe mbrojtje të fuqishme. Pra, sulmo dhe mbro. Por, në pjesën e dytë ekipi çaloi.

Pse çaloi?

T’ia hedhim gjendjes fizike vallë, nuk e di ç’të them. Kështu që trajneri duhet të bëjë një punë të fuqishme, duke punuar më shumë nga ana psikologjike, pasi e shoh që ekipi si kontingjent është i plotë, por del nga natyra e lojës në momente të caktuara. Filloi sërish avazin e vjetër, që secili do ta zgjidhë në mënyrë individuale. Në pjesën e parë të ndeshjes së fundit u bë një lojë shumë e kënaqshme që kishim mundësi edhe të shënonim.

Ju po thoni që problemi është fizik?

Po, gjendja fizike e ekipit nuk është e mirë. Jo se nuk është taktika apo mënyra se si e thotë trajneri. Daja e thotë të plotë, por lojtarët nuk po e zgjidhin dhe kjo ndodh nga ana fizike e ekipit.

Një mbrojtje që gabon pambarimisht, është shqetësues ky fakt?

Si rreshtim në mbrojtje ekipi është i plotë, por kur sulmohemi, ne dalim jashtë detyrave. Nuk markojmë në kohën e duhur, jemi shumë të hapur. Në lojën mbrojtëse ekipi çalon jashtë mase. Edhe në mesfushë, pasi është pikërisht ajo që e fillon mbrojtjen e para. Mund të them se gabimet në mbrojtje janë shumë amatoreske, është një mbrojtje ordinere. Daja ndoshta është i zhgënjyer nga gjendja aktuale e lojtarëve.

Vetëm Deliaj që është një tipik mbrojtës, ai është i vendosur më mirë taktikisht se lojtarët e tjerë. Është i vetmi lojtar që në momente të caktuara mbështet sulmin, por thyen shumë aksionet dhe është i vendosur shumë mirë. Mbrojtësi i majtë dhe i qendrës lënë shumë për të dëshiruar. Vendosja është shumë e gabuar.

Po sulmin si e vlerësoni?

Edhe sulmi lë shumë për të dëshiruar, pasi edhe rezultatet flasin. Përjashto vetëm Kastriotin që e gjetëm në gjendje gjumi dhe ata gola ishin më shumë të falur sesa aksione të rrjedhshme. Ende në sulm duhet të punojmë shumë. Nuk duhet që t’ua lëmë vetëm dy sulmuesve që të punojnë më shumë, Bushiçit apo Alveshit, por edhe mesfusha duhet të mbrojë. Rastet janë caktuar, por nuk dinë t’i zbatojnë. Bëjnë veprime amatoreske. Nuk na vjen mirë që ekipi brenda në Vlorë të sulmojë me dy lojtarë apo me një, të dalë me katër apo pesë. Në Vlorë ne duhet të dalim dhe të luajmë hapur.

Ndeshja e radhës me Tiranën. Mendoni se do të arrihet kthesa?

Ndeshja me Tiranën. Duhet të luajmë një ndeshje të hapur, të fuqishme, me sulm dhe kundërsulm. Ne çalojmë totalisht në mbrojtje, jo se ata nuk kanë eksperiencë dhe nuk dinë të luajnë, por ndoshta nga gjendja fizike jo e plotë. Me Tiranën them se objektivat e të dyja ekipeve janë të njëjta. Ne kemi një ndeshje të fuqishme dhe tradicionale. Them se do të jetë një lojë e bukur. Por them se me këtë lojë, edhe emrin e madh, ne duhet ta fitojmë ndeshjen. Duhet ta fitojmë duke bërë lojë që i takon Flamurtarit dhe jo lojë graduale. Asnjëherë loja graduale nuk të jep sukses ose edhe mund ta bëjë, por pa harxhuar energji shumë, pasi ne e kapim topin e thyejmë dhe brenda në Vlorë ne dalim me 5-6 mbrojtës. Nuk e mbështesim sulmin dhe shpresojmë tek Alvesh dhe Bushiç për golin.

Si duhet të ndreqet ky problem?

Jam i bindur se edhe trajneri Daja i ka aplikuar variacionet sulmuese, por nuk e di pse çalojnë në lojën e sulmit. Gjithmonë kur sulmojmë, jemi me dy-tre lojtarë maksimumi, nuk dalin në 5-6. Vetëm me Kastriotin që e zgjidhëm tamam, që ishte një ‘kalë i ngordhur’ dhe i mundur sapo hyri në fushë. Por, Tirana është më cinike, ka emrin, është një ekip shumë i mirë. Nuk është si Kamza apo Kastrioti, është një ekip që ka vlera.

Ju duket normale që një ekip pretendent të ndëshkohet në minutat e fundit edhe kur është në avantazh?

Jo, nuk është aspak normale. Një emër i madh, një ekip i madh nuk di të mbrohet dhe ky nuk është faji i trajnerit, por i lojtarëve dhe rreshtimit taktik, lodhjes ose gjendjes jo të mirë fizike, pasi gjithmonë jemi ndëshkuar në momentet e fundit.

Idrizi nuk ka shpalosur objektiva as këtë sezon për të shmangur presionin ndaj lojtarëve. Mendoni se kjo po ndikon negativisht?

Idrizi ka qenë gjithmonë pranë ekipit edhe me rrogat. Presidenti normalisht që bën presion, pasi është Milani apo Barcelona që edhe humbet. Megjithatë, është e drejta e tij ta shprehë si të dojë presidenti. Ai mbase i motivon më shumë, por nuk ndëshkon, dhe këtu është punë morali i vetë futbollistëve.

Ku ndryshon nga vjet ky ekip?

Ndryshon shumë, pasi po të shikosh në blerjet që janë bërë, ato janë të fuqishme. Por, Daja nuk kishte shumë kohë në dispozicion me plotësimin e lojtarëve dhe kjo çalon te Flamurtari. Në fazën e dytë besoj se mund të jetë më i kompletuar.

Është për titull Flamurtari i këtij viti?

Po, natyrisht që po, as e vë në dyshim fare. Pasi një dhe dy ndeshje vlejnë. Fitove një ndeshje, vajte 13 pikë. Ekipet janë shumë afër njëra-tjetrës dhe jemi pretendentë. Jemi brenda objektivave, pasi nuk ka mbaruar as faza e parë akoma.

Cilët janë pretendentët për titull këtë sezon?

Partizani, Skënderbeu, Kukësi dhe Flamurtari janë pretendentët. Por, gara do të jetë e hapur, pasi është vetëm fillimi dhe ka edhe shumë ndeshje të tjera për t’u luajtur.

ERMAL SIKA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"