Kurbejo: Të luajmë si ndaj Laçit, kam besim se do i marrim pikë Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2017 | 11:28

Kurbejo: Të luajmë si ndaj Laçit, kam besim se do i marrim pikë Partizanit

Luftëtari, pas humbjes “shokuese” të pësuar në shtëpi me Kamzën, do të përballet sot me Partizanin në kryeqytet. E, si për të hedhur pas krahëve humbjen 2-1, në kampin bluzi të gjithë besojnë te rikthimi në rezultatet pozitive, duke filluar nga takimi i sotëm. Ky është dhe objektivi i trajnerit Luiz Kurbejo, të cilin e pranoi në konferencën e djeshme për shtyp para mediave.

Kurbelo Luftetari

“Ndeshja me Partizanin është pa dyshim shumë e vështirë, pasi luajmë me një rival të fortë, për vetë emrin dhe nivelin që ka. Ndeshjet në transfertë janë shumë të vështira. Kalendari në pesë javët e luajtura nuk ka qenë shumë i favorshëm për ne. Shpresojmë të bëjmë një ndeshje të mirë, ashtu siç bëmë në transfertë me Laçin”, tha fillimisht Kurbejo, i cili zyrtarisht ka marrë edhe titullin trajner i parë, pas largimit të Fernandezit.

Humbja me Kamzën, tashmë “e arkivuar”, përpos zhvillimeve që shoqëruan kampin bluzi.

“Kur vjen pas një humbjeje, sidomos në shtëpi, natyrisht që nuk ndihesh mirë, pasi ka edhe probleme. Megjithatë, skuadra është gati, lojtarët presin të luajnë sa më mirë në këtë ndeshje. Në pesë javët e para kemi grumbulluar 5 pikë me një diferencë prej tri pikësh nga vendi i fundit dhe i treti. Na pëlqen të shohim përpara dhe jo pas, pasi kampionati është mjaft i gjatë.

Kalendari në vijim na vë përballë tre rivalë të fortë, Partizanin, Kukësin dhe Skënderbeun. Ndeshje të vështira, por unë them se do të marrim pikë që sot. Para se të luhej ndeshja me Kamzën, në letër dukej e lehtë për t’u fituar, por futbolli luhet në fushë. I kemi mundësitë të marrim pikë në çdo ndeshje. Me këtë objektiv shkojmë në Tiranë”, u shpreh trajneri uruguaian i Luftëtarit.

“Panorama Sport” ka mësuar, përmes zëdhënësit të shtypit, Rigels Malile, se vetëm pas përfundimit të ndeshjes me Partizanin do të ketë një sqarim zyrtar lidhur me zhvillimet e fundit të ndodhura pas humbjes me Kamzën. “Jemi të përqendruar te ndeshja e radhës. Largimi i trajnerit nuk duhet të na shpërqendrojë. Në ditët në vijim do të ketë një sqarim zyrtar lidhur me gjithçka ka ndodhur këtë javë”, tha Malile për “Panorama Sport”.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"