Kur bardheblutë eliminonin D.Bukureshtit, rumunëve “u djeg” akoma Tirana e Mingës dhe Josës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2018 | 19:23

Kur bardheblutë eliminonin D.Bukureshtit, rumunëve “u djeg” akoma Tirana e Mingës dhe Josës

Kanë kaluar 32 vite, megjithatë rumunëve u “djeg” ende Tirana e Mingës dhe Kolës. Bardheblutë, që asokohe quheshin 17 Nëntori, “tronditën” Dinamon e Bukureshtit, duke i eliminuar nga Kupa e Kupave në edicionin 1986-1987.

Një ditë më parë, “theplaymaker.ro” radhiste 5 nga skualifikimet më të turpshme të skuadrave rumune para viteve ’90 dhe në vendin e dytë ishte pikërisht skuadra e drejtuar prej Enver Shehut. Kryeqytetasit patën fituar ndeshjen e parë, falë golit të shënuar nga Agustin Kola, i cili ngriti peshë “Qemal Stafa”-n 4 minuta para fundit të lojës. Në kampin rumun ndiheshin të qetë, madje ishin aq të bindur se përmbysja do të vinte me goleadë.

tirana dinamo bukuresht

Por e kundërta ngjau më 1 tetor 1986 në “Stefan cel mare”. Në një stadium të tejmbushur, pa kaluar dy minuta nga vërshëllima e gjyqtarit qipriot Aksentiu, mendoi Arben Minga që të “shtangte” Dinamon e Bukureshtit, duke shfrytëzuar një krosim të zgjuar të Shkëlqim Muçës. Me kalimin e minutave, vendësit nuk po gjenin dot veten dhe rrjedhimisht shfaqën shenja të theksuara nervozizmi. Tirana me gjakftohtë- si do të zotëronte jo vetëm mesin e fushës, por po krijonte epërsi me lojën e tij teknike, të hapur dhe të organizuar.

Driblimet dhe fantazia në lojën e Muçës spikaste, mbrojtja po mbulonte shumë mirë Rodion Kamatarun, i cili konsiderohet si “shpëtimtari” i Dinamos. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për Tiranën. Loja rinisi me të njëjtën panoramë, pra me 17 Nëntorin më kërkues, e megjithatë rreth minutës së 70-të të ndeshjes, një ndërhyrje e ashpër e një mbrojtësi të Dinamos nxori me barelë nga fusha Muçën. Vendësit nuk pranonin disfatën, ndaj pas këmbënguljes barazuan, në të 81-ën barazuan me Kamatarun.

tirana dinamo bukuresht skeda

Megjithatë, “festa” e rumunëve nuk zgjati shumë, pasi një minutë para fundit një gjuajtje e Mirel Josës në zonën e 16 metrave përfundon në rrjetë dhe sjell jo vetëm avantazhin, por edhe kualifikimin për në raundin e dytë. E, megjithatë, aventura e bardhebluve në Kupën e Kupave asokohe nuk zgjati shumë, pasi u eliminuan nga suedezët e Malmos. Ndeshja e parë e luajtur në kryeqytet u mbyll me humbje 3-0, ndërsa në kthim Tirana rezistoi në barazimin 0-0.

5 eliminimet me te turpshme

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"