Kuqeblutë larg kreut, drejtori Hasani vë gishtin në plagë: Vllaznia ka probleme në sulm, i kënaqur që u besohet të rinjve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2022 | 20:33

Kuqeblutë larg kreut, drejtori Hasani vë gishtin në plagë: Vllaznia ka probleme në sulm, i kënaqur që u besohet të rinjve

Drejtori i Akademisë Vllaznia, Alban Hasani, ka folur dje për “Panorama Sport”, lidhur me ecurinë e shkodranëve në gjashtë javët e para të kampionatit, si dhe Kupën e Shqipërisë, në përballjen kundër Flamurtarit.

alban hasani

Ai ka vënë në dukje mungesën e forcës sulmuese të Vllaznisë, që po e penalizon shumë . Ai ka vënë theksin edhe te mbështetja që stafi me në krye Josën po i jep të rinjve, gjë që për të shikohet si një nxitje edhe për lojtarët e tjerë që janë pjesë e akademisë së klubit. Pas barazimit në Durrës, fundjavën e ardhshme Vllaznia do të presë Partizanin, me objektivin për t’u kthyer te fitorja.

Java e kaluar rezervoi dy përballje për Vllazninë, në kupë ndaj Flamurtarit dhe në kampionat ndaj Teutës. Një humbje dhe një barazim, cili është komenti juaj?
Mendoj se ndaj Flamurtarit, pas shënimit të golit të shpejtë, lojtarët e morën pak lehtë, por harruan se vlonjatët kanë bërë investime të rëndësishme në merkato me objektiv për t’u kthyer në Kategorinë Superiore. Sa për pikën në Durrës do të thoja se askush nuk ka mbetur i kënaqur. Të dy skuadrat kishin nevojë për pikët e plota. Për mënyrën se si shkoi përballja rezultati ishte i drejtë. Vllaznia kishte shkuar në Durrës për të fituar, por problemet në finalizim në sulm e kanë penalizuar edhe në këtë takim. Megjithatë, në fund të ditës, një barazim në Durrës nuk mendoj se duhet quajtur një rezultat i keq. Ekipi u mundua të tregojë më të mirën, por sërish loja ishte me luhatje.

Gjashtë javë kampionat si e shikoni këtë Vllazni?
Si të gjitha skuadrat e tjera, ende nuk ka stabilitet në lojë. Duket e lodhshme, por pjesa e sulmit mendoj që ka qenë arsyeja kryesore për mosmarrjen e pikëve të plota gjatë këtyre ndeshjeve. Vllaznia është ndërtuar për të qenë pretendente për titull dhe nuk mund të lërë kaq shumë pikë rrugës. Besoj se duke nisur nga ndeshja e radhës, skuadra do të reflektojë. Fati i mirë i Vllaznisë është se në këtë kampionat të gjitha skuadrat janë pak a shumë në një nivel, diferencat janë thuajse të pallogaritshme.

Takime me shumë luhatje, cili është shkaku sipas jush?
Besoj se shkaku është mungesa e harmonizimit të reparteve e veçanërisht reparti i avancuar. Vllaznia ka dy lojtarë mjaft të mirë si Aralica dhe Kaina, por ata nuk po japin ende atë që pritet.

Mendoni se duhet të kishte bërë më shumë në këto javë?
Besoj se duhet të kishim bërë më tepër, veçanërisht në ndeshjet kundër Erzenit dhe Egnatias. Jam i bindur se me cilësitë që ka, Vllaznia, qëndron më lart se këto dy skuadra.

Gjithsesi, te Vllaznia po investohet edhe tek elementi i ri. Edhe për ju si pjesë e Akademisë kjo është diçka pozitive?
Po, është e vërtetë, jam shumë i kënaqur që po i besohet të rinjve si Alivoda, Smajli, Qarri, Delaj, Spahia, Pjeshka. Mendoj se vetëm kështu mund të pretendojmë të korrim frytet e punës që bëhet tek Akademia. Një meritë ka dhe trajneri Josa dhe stafi i tij, që po i besojnë të rinjve. Më vjen shumë mirë për Alivodën, që po bëhet një lojtar formacionit e po luan me personalitet. Për vetë moshën që ka (19 vjeç), po tregon se është një lojtar që në të ardhmen do të jetë mjaft i vlefshëm për Vllazninë.

hasani alban

Ju vetë keni ndonjë pishman që ndonjë emër i ri ka mbetur jashtë ekipit të parë të Vllaznisë?
Këtu po flas në tërësi për gjithçka është bërë këto vite. Kam pishmane, pasi kemi punuar shumë me stafin e Akademisë, por për një problem apo një tjetër nuk është bërë e mundur që shumë lojtarë të jenë pjesë e Vllaznisë, sidomos kur klubi ishte nën administrimin e bashkisë. Lojtarë si Qardaku, Albi Shpuza, etj., janë lojtarë që fare mirë mund të ishin pjesë e Vllaznisë. Do të vlerësoja shumë Prekën, por siç e shihni ai është tashmë pjesë e Partizanit. Megjithatë, shpresojmë dhe besojmë se dyert e Vllaznisë të jenë gjithmonë të hapura për lojtarët e dalë nga skuadrat zinxhir.

Këtë fundjavë Vllaznia do të përballet me Partizanin. Si e shihni këtë përballje. A prisni që Vllaznia të kthehet te fitorja?
Besoj se do të jetë një ndeshje e fortë e shumë e bukur në një fushë shumë të mirë. Dëshiroj fitoren e Vllaznisë, por e shikoj një ndeshje të vështirë për Vllazninë, pasi Partizani është një skuadër që në këtë sezon e shikoj si një nga pretendentët kryesorë për titull kampion. Nga ana tjetër, besoj shumë te Vllaznia.

Çfarë kampionati prisni në vazhdimësi?
Unë kam vënë re se Tirana, që dominoi sezonin e kaluar, në këtë sezon, me largimin e Seferit ka humbur jo pak. E thashë dhe më lart, se nuk shoh diferenca të mëdha mes skuadrave të Superiores. Kjo e bën dhe Vllazninë pretendente për titullin. Deri më tani më kanë zhgënjyer Kukësi e Laçi, që i llogarisja mes kandidatëve për titull.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"