Kupa, Reali shkëlqen edhe me rezervat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2011 | 8:46

Kupa, Reali shkëlqen edhe me rezervat

Reali i Madridit dhuron spektakël edhe kur Zhoze Murinjo bën rotacion, gjithsesi përballë kishin një kundërshtar modest si Ponferradina. Ylli i mbrëmjes ishte Hoze Kalejon, jo vetëm se shënoi dy herë, por sepse dhuroi emocione në fushën e lojës. Pas fitores në ndeshjen e parë, madrilenët e mbyllën me rezultatin 5-1 takimin e kthimit për Kupën e Mbretit. Murinjo hodhi në fushë një skuadër me ndryshime në formacion, ku prej titullarëve të zakonshëm luajti vetëm Pepe, Ozil dhe Benzema. Ndërkohë, prej rezervave, disa lojtarë e kuptuan se ishte shansi i duhur për të bërë diferencën dhe për të treguar se janë të aftë për të fituar më shumë minuta në dispozicion. Kalejon ishte lojtari më produktiv në fushën e lojës dhe ai që hapi edhe serinë e golave, kur gjeti rrugën e rrjetës në të 25-ën. Ndërkohë, vetëm një minutë para se të mbyllej pjesa e parë, Nuri Shahin shënoi golin e tij të parë me fanellën e Realit, kur goditi saktë me kokë një top të ardhur nga goditja e këndit. Mbrojtësi 18-vjeçar, Rafael Varane tregoi sërish se di të bëjë edhe rolin e goleadorit, kur në minutën e 49-të shënoi golin e tretë për madrilenët, pasi përfitoi nga një grushtim i gabuar i portierit kundërshtar. Ndërkohë, miqtë arritën të shënojnë një herë në portën e “galaktikave”, pikërisht me Akoranin. Një gol nderi, i cili do mbahet mend gjatë, sidomos nga futbollisti. Vendësit shënuan edhe dy herë të tjera, me 21-vjeçarin Hoselu dhe sërish me Kalejonin në fund. “Jam i kënaqur nga paraqitja e futbollistëve. Hoze Kalejon tregoi se është një lojtar me vullnet dhe talent të madh. Më vjen mirë që shënoi edhe Nuri Shahin, pasi do e ndihmojë për besimin në vete. Detyra e Realit është që të bëjë sa më pak gabime dhe duhet të vazhdojmë me këtë ritëm”, tha Murinjo pas ndeshjes.

KUPA E MBRETIT
NDESHJET E KTHIMIT/ 1/16-at
DJE
Gijon -Majorka (1-0) 0-2
Espanjol -Selta Vigo (0-0) 4-2
Real Madrid -Ponferradina (2-0) 5-1
Sevilja -San Roke de Lepe (1-0) 1-0
SOT
Atletiko -Albasete (1-2) 20:00
Betis -Kordoba (0-1) 21:00
Valekano -Santander (2-3) 21:00
Levante -Deportivo (1-3) 21:00
Malaga -Getafe (1-0) 21:00
Saragoza -Alkorkon (1-1) 21:00
Granada -Real Sociedad (1-4) 21:00
Vilareal -Mirandes (1-1) 21:00
Osasuna -Almeria (3-1) 21:00
Atl.Bilbao -Ovideo (1-0) 22:00
NESËR
Valencia -Kadiz (0-0) 20:00
Barcelona -Hospitalet (1-0) 22:00

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"