Kumbarçe mbetet në stolin e Korabit dhe “bllokon” largimet: Të gjithë në kontratë! Me pak afrime, sërish pretendent

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2023 | 23:25

Kumbarçe mbetet në stolin e Korabit dhe “bllokon” largimet: Të gjithë në kontratë! Me pak afrime, sërish pretendent

Korabi iu afrua aq shumë ngjitjes. Kaloi Tomorin dhe Flamurtarin në “play off”, por në fund e pësoi nga Erzeni. Edhe pse nuk e realizuan dot misionin final, sezoni mund të quhet i suksesshëm.

kumbarce

I këtij mendimi është edhe Shpend Kumbarçe. Teksa analizon ecurinë e dibranëve, në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri jep edhe një lajm për veten. Për një tjetër vit do të jetë në krye të pankinës dhe që tani guxon të shpallë objektivin. Konfirmon katër largimet e Albers Kekos, Mario Beshirajt, Xhuljo Tabakut dhe Kristi Jotit ndërsa “bllokon” pjesën tjetër.

Iu afruat aq shumë Superiores, por nuk u ngjitët dot. Ju ka mbetur ndonjë peng nga sezoni i fundit?

Pikërisht ngjitja. Ai është i vet mi peng që më ka mbetur. Nuk arritëm që të kapnin elitë, ndonëse iu afruam aq shumë. Punuam fort, por nuk ia dolëm.

kumbarce

Cila do të ishte nota që do t’i vendosnit lojtarëve për rrugëtimin e bërë në Kategorinë e Parë?

Kam pasur fat që kam punuar me djem me cilësi shumë të mira. Ata kanë bërë diferencën në Kategorinë e Parë. Sigurisht që dëshira ime ishte që ata të vazhdonin me ne dhe Korabi do ta kishte më të lehtë ngjitjen më lart.

Çfarë po ndodh me ekipin, pasi ka pasur largime të rëndësishme…?

Sipas informacioneve që kam, janë disa lojtarë titullarë që nuk do të jenë më pjesë jona. Emra që edhe janë publikuar.

Po pjesa tjetër?

Të gjithë lojtarët aktualë të Korabit, janë me kontratë të rregullt. Ndërkohë që do të bëjmë edhe merkato. Po punohet edhe me këtë pjesë.

Kumbarçe vetë do të jetë në krye të pankinës edhe për sezonin e ardhshëm?

Marrëdhëniet e mira që unë kam me presidentin Fehmi Mëziu dhe besueshmëria në publik, më motivojnë të vazhdoj këtë aventurë të bukur. Ndaj, po. Do të jem trajner i Korabit.

Prekët pak temën e merkatos, por mund të na zbuloni diçka më tepër për këtë pjesë?

Për sa i përket afrimit të lojtarëve, klubi është në bisedime me disa emra konkretë. Për momentin nuk mund të bëhen publikë, por këta lojtarë do të plotësojnë të gjitha hapësirat e lëna bosh në ekip.

Dhe për ta mbyllur, cili do të jetë objektivi i Korabit?

Ngjitja në Superiore ka qenë dhe mbetet objektivi i përhershëm i Korabit. Nuk mund të ketë ndryshim as këtë vit.

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"