“Kukësi s’ka lider në mbrojtje”, Julian Brahja: Verilindorët të paparashikueshëm, por kanë cilësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2021 | 23:00

“Kukësi s’ka lider në mbrojtje”, Julian Brahja: Verilindorët të paparashikueshëm, por kanë cilësi

Kukësi do të luajë të premten me Teutën ku pritet një përballje mjaft e fortë. Të dyja skuadrave u nevojiten pikët, ndërsa është një prej lojtarëve më të spikatur në vitet që ka luajtur me të dyja ekipet Julian Brahja, i cili analizon këtë sfidë. Ai shikon Teutën si më favorite për shkak të formës që po kalon, por sipas tij dhe Kukësi është i paparashikueshëm. Në intervistën për “Panorama Sport”, laçjani mendon se ndeshjet direkte do të vendosin se cila ekip ia del deri në fund.
Brahja
Dikur keni qenë pjesë e Kukësit historik në Europë, por edhe nënkampion dy vite, gjithashtu dhe fitues i Kupës së Shqipërisë me Teutën, si i keni parë zhvillimet e fundit te verilindorët dhe te Teuta?
Kam qenë pjesë e të dyja ekipeve me të cilat kam pasur shumë sukses, fitues kupe me Teutën dhe nënkampion, dhe sukses madhor me Kukësin në Europë ku shkuam deri në turin e katërt në fazën e grupeve në UEFA Europa Ligë. Momentalisht Teuta po shkon shumë mirë në kampionat është brenda objektivit për titullin kampion, ka një grup me lojtarë cilësorë që kanë dalë kampionë me ekipet e tjera që është avantazh për ekipin. Sa i përket Kukësit nuk po shkon ashtu siç pritej në fillim të sezonit, ka treguar oshilacione nga ndeshja në ndeshje.
Kukesi Teuta logo
Si e shikoni këtë përballje mes dy ekipeve? Cili është më i favorizuar?
Përballjen që kanë këtë javë mes njëra-tjetrës shikoj Teutën më superiore si ekip, vazhdimësia pozitive që Teuta ka treguar besoj se nuk do të gaboj. Ndërsa te Kukësi unë shikoj problemet më të theksuara te reparti i mbrojtjes. Mungon një lider, megjithatë Kukësi është i paparashikueshëm këtë sezon.

Cilat janë arsyet, sipas jush, të këtij pozicioni të Kukësit në tabelë?
Unë mendoj që Kukësi ka pasur luhatje shumë këtë sezon për shkak të prurjeve të mëdha në ekip. Gjithsesi, Kukësi ka drejtues, të cilët e dinë më mirë se çfarë bëjnë, gjithsesi kanë arritur të rindërtojnë një skuadër me mjaft kualitet para.

Sa mund të arrijë ky Kukës?
Nëse do arrijë të marrin rezultate maksimale në dy ndeshjet e radhës do të kapin Kupat e Europës nga kampionati, në të kundërt duke parë ecurinë e skuadrave lart e kanë të vështirë.
Mirel Josa Kukesi
A keni parë ndonjë ndryshim te skuadra e Kukësit në këto 4 javë me Josën në krye?
Trajneri Josa është një profesionist me shumë eksperiencë. Do të bëjë mirë te Kukësi.

Po skuadrat e kampionatit si i shihni? Cila mendon se bën diferencën dhe fiton titullin?
Sa i përket kampionatit deri në këtë moment mendoj që Vllaznia është me meritë në vend të parë, edhe pse ka gabuar ndeshjet e fundit unë mendoj që do jetë një kockë e fortë deri në fund për titullin kampion. Rivalet e Vllaznisë për mua janë Partizani, Laçi e Teuta. Të tria ekipet po kalojnë një formë shumë të mirë, janë të përbëra nga lojtarë cilësorë dhe kanë organikë të plotë. Në qoftë se njëra nga këto ekipe e fiton titullin mendoj që do ta meritojë. Ndeshjet direkte do të tregojnë pak e shumë kush është më afër titullit.
Agim Ibraimi
Si një ish-mbrojtës, cili është sulmuesi më i frikshëm i kampionatit sipas jush?
Sulmuesi që ka treguar një formë shumë të mirë është Agim Ibraimi sulmuesi i Kukësit, pa lënë pas dhe sulmuesin e Laçit Nuabueze dhe pse ka qenë i dëmtuar për shumë javë, mbetet sulmuesi më i frikshëm në kampionat.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"