Kthehet qetësia në Gjirokastër, Kristidhi: Kthesa pritej, Luftëtari goditi në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2022 | 0:02

Kthehet qetësia në Gjirokastër, Kristidhi: Kthesa pritej, Luftëtari goditi në merkato

Në Gjirokastër është rikthyer qetësia. Pas “shkundjes” që u dha humbja me Përmetin, rikuperuan diçka me Këlcyrën. Administratori nuk është befasuar me reagimin e ekipit, ndërsa atë që ngjau me përmetarët e quan një aksidental. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, Fotis Kristidhi analizon atë që shkoi dhe nuk shkoi si duhet në këtë 90- minutësh.

kristidhi

“Fitorja ndaj Këlcyrës pritej. Patëm kohën e duhur për ta përgatitur. Më shumë se pikët, të gjithëve na kënaqi mënyra e interpretimit të ndeshjes. Pjesën e parë performuam lojë të dobët, në antitezë me të shkuarën. Krejt e kundërta ndodhi në të dytën. Ekipi tregoi shpirt gare dhe luftoi fort për ta bërë fitoren më bindëse me dy golat e realizuar në këtë fraksion. Përgatitja fizike mendoj se bëri diferencën me kundërshtarin. Është hera e parë që konstatova këtë lojë të ekipit. Humbja me Përmetin pastaj, për mua ishte aksidentale. Shpërdoruam shumë raste dhe kur nuk shënon, ndëshkohesh”, tha fillimisht numri një i klubit.

Ai u ndal edhe te merkatoja e dimrit, të cilën e quan të goditur. Ju jeni dëshmitarë për merkaton emergjente që u bë në verë. E kryem në limite, për arsye që dihen. Gjatë dimrit situata ndryshoi dhe kemi bërë ndërhyrje cilësore të cilën e konfirmuam me lojën dhe dy autorët e golave të parë, Mërkuri dhe Pedro. Përvoja e grupit ekzistues dhe prurjet e dimrit janë gërshetuar më së miri. Edhe të rinjtë po bindin, gjashtë madje ishin në fushë me Këlcyrën.

Besoj se do jenë vlera të shtuara për objektivin tonë, renditjen mes pesë e ekipeve më të mira të grupit të Jugut. Përpos këtij synimi, do të punojmë për të formuar boshtin e së ardhmes”, përfundoi Kristidhi. Pas një dite pushimi, bluzinjtë e Arben Çonit pasditen e djeshme startuan përgatitjet për transfertën me Gramozin. Kjo përballje është më shumë se jetike për gjirokastritët, duke marrë në konsideratë pozitat në klasifikim të dy ekipeve.

TOMOR SHEHU -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"