Ksavi flet pas fitores ndaj Seviljas: Ishte dita jonë, por ka kohë për titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2023 | 19:35

Ksavi flet pas fitores ndaj Seviljas: Ishte dita jonë, por ka kohë për titullin

Teksa Barcelona dhe Sevilja bëheshin gati të zbrisnin në fushë, katalanasit e dinin se kjo e diel ishte e tyrja. Më herët gjatë ditës, Majorka u kishte bërë një dhuratë, duke mundur Realin 1-0.

Xavi-Hernandez

Ndaj për Barcelonën rruga ishte një dhe e vetme: fitorja përballë Seviljes për të shkuar në +8 nga Madridi. Katalanasit nuk e kanë lënë t’u ikë nga duart ky shans dhe kanë mundur pastër dhe pa shumë probleme Seviljen me shifrat 3-0. Misioni është përmbushur dhe Ksavi nuk ka se si të mos jetë i lumtur.

“Të them të drejtën nuk është se më pëlqeu shumë pjesa e parë. Kemi krijuar mundësi për shënim, por loja nuk ishte e rrjedhshme dhe Sevilja është mbrojtur mjaft mirë. Në pushimin mes dy pjesëve kemi folur hapur mes nesh. Ua bëra të qartë lojtarëve se kjo ishte nga ato ditë që duhej shfrytëzuar. Më vjen mirë që skuadra iu përgjigj shkëlqyeshëm kërkesës sime. Asnjëherë nuk është e lehtë të luash kundër një skuadre ku 11 lojtarë qëndrojnë prapa dhe mbyllin çdo hapësirë. Kjo më ka kënaqur edhe më shumë, sepse treguam se dimë të çajmë edhe të tilla mbrojtje”, ka thënë Ksavi.

Trajneri i Barcelonës ka komentuar edhe 8 pikët e diferencës që skuadra e tij ka krijuar me Realin e Madridit. Ai ka refuzuar ta quajë titullin një “çështje katalanase”.

“Ajo që më kënaq është se nuk mundemi prej shumë ndeshjesh në La Liga. Unë e kam thënë dhe e përsëris gjithnjë se më pëlqejnë fitoret me lojë të bukur. Kështu ishte dhe kjo ndaj Seviljes. Kemi luajtur si një bllok, kemi krijuar shumë mundësi dhe natyrisht kemi konkretizuar dhe me gola. Kjo ishte pa dyshim e diela jonë. Tani jemi 8 pikë nga Reali. Nuk janë pak, por ka dhe një fazë të tërë për të luajtur, asgjë nuk ka përfunduar”, tha numri një i stolit të Barcelonës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"