Kruja ikën nga Teuta, aksioneri Bardhi zbulon: Ja e vërteta me Bicajn dhe Shkurtajn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2018 | 17:20

Kruja ikën nga Teuta, aksioneri Bardhi zbulon: Ja e vërteta me Bicajn dhe Shkurtajn

Merkato në Durrës ka filluar ende pa u hapur ajo zyrtarisht. Afrimi i Erlis Frashërit dhe largimi i maqedonasit Gjeorgjevski kanë hapur dyert e një rruge që duket e gjatë. Bregdetarët janë tepër aktivë deri në këto momente, pasi duket që kanë ardhur me një plan të mirorganizuar, me lojtarë të piketuar prej kohësh dhe tani duket se është momenti për t’u afruar dhe për t’u bërë pjesë e organikës së Bledi Shkëmbit.

ardian bardhi

Shumë emra kanë qarkulluar dhe midis tyre ata të Arapit apo dhe Shkurtajt, ndërkohë që pritet edhe afrimi i sulmuesit nga Uruguai. Ky i fundit mbetet sërish enigmë dhe pavarësisht insistimit nga ana jonë, emri i tij mbetet ende i panjohur, pasi klubi kërkon të ruajë anonimitetin dhe të shmangë ndërhyrjet.

Aksioneri i klubit, Ardian Bardhi, flet për “Panorama Sport” rreth afrimeve të mundshme dhe largimeve. “Sa i përket Shkurtajt, nuk kemi pasur asnjë komunikim apo tentativë me futbollistin në fjalë, gjithashtu as me klubin ku ai aktivizohet”, thotë Bardhi për sulmuesin e Luftëtarit, ndërsa mohon që të jetë arritur një marrëveshje për largimin e Ditmar Bicajt. “Për sa i përket largimit të Bicajt, ai është një nga elementët tanë më cilësorë, jo vetëm në mbrojtje, por për gjithë ekipin në tërësi. Do të jetë pjesë e ekipit edhe në vazhdim”, theksoi drejtuesi durrsak.

PËRFORCIMET – Bardhi heziton të flasë për emra konkretë në dalje apo hyrje, por gjithsesi lë të hapur gjithçka, ndërsa konfirmon se pritet marrëveshja me një sulmues uruguaian. “Po vazhdojmë punën me njerëzit tanë që janë atje për të finalizuar këtë operacion. Siç e kam thënë, jemi shumë të interesuar për shërbimet e tij dhe është një lojtar që ofron shumë cilësi.

Sa i përket emrit, vazhdojmë ta mbajmë të fshehtë, sepse emrat do të publikohen vetëm kur gjërat të jenë të zyrtarizuara dhe të jenë konkrete. Vazhdojmë të jemi në rrugën e duhur për këtë operacion dhe jemi optimistë. Tani në merkato nuk janë vetëm futbollistët që vijnë, por edhe ata që ndoshta do të largohen. Nga skuadra jonë do të ketë disa largime, ku do jenë ata futbollistë që kanë pasur pak minuta në këmbët e tyre dhe i përkasin stolit. Largimet do jenë nga stoli dhe jo nga formacioni”, përfundoi aksionari i Teutës, Ardian Bardhi.

kruja-1

IKËN KRUJA – Mesfushori shkodran, Arsid Kruja, e mbyll me bregdetarët e Teutës, duke i dhënë fund aventurës së tij njëvjeçare në Durrës. Kontrata e futbollistit ka ardhur në përfundim dhe nuk do të vazhdojë të jetë më pjesë e organikës së Bledi Shkëmbit.

Kruja gjeti shumë pak hapësira në këtë edicion, duke u aktivizuar vetëm në ndeshjet e para të kampionatit dhe më pas nuk iu dha shansi në javët e tjera. Aktivizimi i tij i fundit ishte pikërisht në ndeshjen përballë Partizanit, të përfunduar në barazim 1-1 dhe shkodrani u aktivizua në dhjetë minutat e fundit. Në një prononcim për gazetën, ai falënderon klubin dhe tifozët e skuadrës.

“Kontrata ime 1- vjeçare përfundon tani dhe, me shumë gjasa, nuk do të ketë një rinovim të saj. Ishte një eksperiencë e bukur dhe jam i lumtur që isha pjesë e skuadrës së Teutës. Dua t’i falënderoj të gjithë në këtë klub, pa harruar dhe tifozët për mbështetjen, ambientin e qetë dhe do ta kujtoj gjithmonë për mirë këtë eksperiencë këtu”, përfundoi shkodrani. Futbollisti duket se do të nisë një tjetër aventurë, por ende nuk ka një destinacion përfundimtar dhe pse, për të personalisht, ka disa oferta, të cilat po i shqyrton dhe më pas për të vendosur për të ardhmen e tij.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"