Koubemba gati, Edi Martini do një Teutë agresive ndaj Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2021 | 9:18

Koubemba gati, Edi Martini do një Teutë agresive ndaj Laçit

Trajneri Edi Martini ka marrë një lajm të mirë para ndeshjes me Laçin, pasi sulmuesi Kevin Koubemba është plotësisht i gatshëm për të ndihmuar skuadrën pas dëmtimit që pësoi një javë më parë në kofshë. Në testin e kontrollit të zhvilluar dje, kongolezi u pa në formacion.

KOUBEMBA

Ky është padyshim një plus për trajnerin Martini, të cilit i shtohet edhe një tjetër alternativë për repartin ofensiv, në një kohë që ka kapur tashmë formën edhe Lorenco Vila. Fakti që Koubemba është autor i dy golave deri më tani për Teutën, edhe pse nuk ka luajtur në të gjitha ndeshjet, i jep garanci Martinit për të rikthyer në majën e sulmit kongolezin.

Mungesa e vetme në ndeshjen ndaj Laçit është ajo e mesfushorit Asion Daja, i cili pësoi një dëmtim me Kastriotin dhe ende nuk ka nisur stërvitjen me pjesën tjetër të ekipit. Në kampin durrsak janë të bindur se në këtë ndeshje do të arrijnë të marrin trepikëshin, paçka se fusha e Laçit mbetet shumë e vështirë për kampionët.

Vështirësia është e madhe, e sidomos kur dihet që përballë kanë një kundërshtar që vjen pas dy fitoreve radhazi. Aspekti teknikotaktik dhe mbi të gjitha ushtrime të ndryshme në veprime ofensive dhe defensive, kanë qenë në fokusin e trajnerit në seancën e djeshme.

Për herë të fundit që durrsakët ia dalin të triumfojnë në Laç është më 20 tetor të vitit 2018 me shifrat 0- 3 falë dy golave të Latif Amadusë dhe një të Gerhard Prognit. Pra, prej tri vitesh mungon triumfi.

Ndërkohë, sa u përket ndryshimeve të mundshme në formacion, repartet që nuk preken mbeten porta dhe mbrojtja.

Në mesfushë do të rikthehet Akuah titullar, duke formuar dyshe me Aleksin. Me skemën 4-2-3-1, Kallaku është “regjisori”, duke qenë pikërisht ai që jep pasimin e fundit. Konkurrenca është e madhe në fazën ofensive, pasi me Lorenco Vilën gati, Martinit i shtohen edhe më shumë dilemat për formacionin.

TE

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"