Kombëtarja U-17/ “E dimë që nuk është e lehtë”, Ervin Bulku: Ju tregoj objektivat që kemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2022 | 11:26

Kombëtarja U-17/ “E dimë që nuk është e lehtë”, Ervin Bulku: Ju tregoj objektivat që kemi

Kombëtarja U-17 nis rrugëtimin në kualifikueset e “Europianit 2023” dhe do të niset drejt Kroacisë, ku do të luhen dhe tre ndeshjet e Grupit 7, kundër Suedisë, Kroacisë dhe Uellsit. Në një intervistë për “fshf.org”, trajneri i kuqezinjve, Ervin Bulku, komentoi listën me 23 lojtarët e grumbulluar dhe objektivat që ka skuadra.

ervin bulku

“Sot fillojmë grumbullimin për kompeticionin më të rëndësishëm të kësaj grupmoshe, eliminatoret e Kampionatit Europian, që zhvillohen në Kroaci. Kemi grumbulluar lojtarët më të mirë të kësaj grupmoshe, si ato që luajnë në kampionatet shqiptare ashtu edhe ato që luajnë në kampionate jashtë vendi. Mendojmë që t’i kemi të gatshëm të gjithë lojtarët sepse kemi dy elementë që kanë shfaqur probleme por ne do t’i shikojmë gjatë javës në seancat stërvitore. Për këtë grumbullim kemi thirrur dy lojtarë më shumë se çdo grumbullim tjetër duke parë kompeticionin që kemi përpara dhe rregulloren që përcakton se mund të marrim vetëm 20 futbollistë, 18 lojtarë dhe dy portierë. Vetëm 20 lojtarë duhet të jenë të gatshëm për të përballuar tre ndeshjet që kemi në Kroaci kundër Suedisë, vendasve dhe Uellsit.

Kjo skuadër ka mbi dy vite që stërvitet bashkë. Është pothuajse i njëjti grup. Kanë fatin e madh sepse kanë zhvilluar një vit më parë një turne në Kroaci ku kanë pasur përballë rivalë si Rusia, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Lituania, duke fituar edhe eksperiencë. Tani kemi përballë skuadra më të forta siç është Suedia dhe Kroacia, dy skuadra që marrin pjesë gjithmonë në Elite Round për këtë grupmoshe. Ne përtej kundërshtarëve do të shkojmë për të bërë paraqitje sa më të mirë, të marrim pikë dhe të kapim Elite Round. E dimë që kjo nuk është e lehtë por mbetet për t’u parë gjendja e gjithë skuadrës, lojtarëve specifikë që janë edhe më të rëndësishmit për grupin të cilët do të mbajnë edhe peshën e skuadrës. Ky kompeticion është disi i veçantë, duke qene se nuk është një ndeshje dhe pas një jave ose muaji ke ndeshjen tjetër. Është një kompeticion që duhet të jesh shumë i përgatitur nga ana fizike sepse të tre ndeshjet janë brenda javës. Shpresoj që ta përballojmë me sukses dhe të kemi rezultate sa më të mira”, ka përfunduar Ervin Bulku.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"