Klubi, kusht lojtarëve: Duam 4 fitore në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2015 | 14:37

Klubi, kusht lojtarëve: Duam 4 fitore në shtëpi

Flamurtari-123Flamurtari është i dënuar për të rikthyer besimin e tifozëve. Drejtuesit e klubit vlonjat, gjatë një analize me futbollistët dhe stafin teknik, kanë theksuar se tetë ndeshjet e mbetura të këtij kampionati duhet që të jenë si finale, qoftë për nga pikët që synohen të grumbullohen, ashtu edhe për nga loja dinjitoze që kërkohet të zhvillohet. Drejtuesit e stafit teknik u kanë përcjellë dje në një mbledhje të zhvilluar rreth orës 14:00, në ambientet e klubit, një mesazh shumë të qartë lojtarëve ose më saktë ultimatumin e administratorit, Sinan Idrizi.

“Panorama Sport” ka zbardhur atë që është thënë në mbledhje, teksa Idrizi kërkon që pjesa e mbetur e kampionatit të shikohet me përqendrimin më maksimal. Kthesa kërkohet që të bëhet që në ndeshjen me Tiranën që luhet në Vlorë në fund të jav- ës së ardhshme. Kushti është fitorja e të paktën katër ndeshjeve në shtëpi që Flamurtari ka deri në fund të kampionatit. Përveçse skuadra duhet të bindë me rezultat, të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe me lojë. Kështu, futbollistëve u është vendosur si detyrë që të marrin pikët e plota në katër ndeshjet që do të luhen në Vlorë me Tiranën, Elbasanin, Partizanin e Kukësin. Drejtuesit e klubit i kanë vendosur në një provë të vështirë lojtarët, pasi kërkojnë të rikthehet besimi i humbur i tifozëve, që ka ardhur pas zhgënjimeve të njëpasnjëshme të ekipit. Përmirësimi i imazhit të duhet të fillojë që nga ndeshja me Tiranën, ku si kusht është jo vetëm fitorja, por edhe ndryshimi i filozofisë së lojës.

Ramela

Kreu i pankinës vlonjate ka kërkuar nga futbollistët përqendrim maksimal për pjesën e mbetur të kampionatit. Jo vetëm rezultate pozitive, por edhe një lojë të pëlqyeshme për tifozët. Këto janë edhe kërkesat e italianit, të cilat i ka bërë të ditura gjatë takimit me lojtarët ditën e djeshme. Ernestino Ramela ka theksuar se dihen vështirësitë e ndeshjeve në vijim, por kërkohen vetëm rezultate pozitive, ndërsa ka kërkuar që ekipi të qëndrojë sa më larg presionit. “Gjërat vështirësohen edhe më shumë, pasi po shkojmë drejt fundit dhe ne do të luajmë edhe me pretendentët, por edhe me ato skuadra që rrezikojnë. Në këto kushte, duhet që të jemi sa më të kujdesshëm. Duhet jo vetëm ta menaxhojmë sa më mirë këtë situatë, por edhe të jemi të qetë psikologjik, pasi në të kundërt mund të vijojmë të jemi në ngërç”, mësohet t’u ketë thënë trajneri Ramela futbollistëve të Flamurtarit.

Situata

Të gjithë futbollistët e ardhur në janar te Flamurtari mund të cilësohen si një dështim. E ndërsa pritshmëritë tek ata ishin të larta, nuk ka rezultuar kështu. Madje mund të thuhet se ata kanë shfaqur cilësi shumë herë më të ulta edhe se lojtarët që janë pjesë e grupit që në startin e këtij sezoni. Edhe sulmuesi Bedi Buval, nuk ka dhënë atë që pritej, teksa numëron vetëm dy gola të shënuar, dhe pse pritshmëritë ishin të mëdha. Edhe pse drejtuesit e klubit vlonjat kanë ide të qarta për sa i përket largimeve në maj, burime pranë klubit pohuan dje për gazetën, se një ndikim shumë të madh te skarcimet do të ketë edhe vazhdimësia në javët e mbetura të kampionatit. Kjo do të thotë se nëse lojtarë të veçantë, të cilët mund të jenë aktualisht në “sitën” e të larguarve mund të bindin, atëherë kanë shanse të qëndrojnë edhe sezonin e ardhshëm. Paraqitja e tyre në këtë pjesë të mbetur të kampionatit do të jetë shumë vendimtare.

Përgatiti: ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"