“Kjo kategori ka shumë presion”, Mezani, apel klubit: Ngjisni Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2020 | 10:43

“Kjo kategori ka shumë presion”, Mezani, apel klubit: Ngjisni Flamurtarin

Gentjan Mezani nuk është befasuar nga rënia e Flamurtarit. Edhe pse ai verdikt dhemb ende, ish-trajneri mendon se gjithçka ishte e paralajmëruar. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, tekniku analizon situatën e vlonjatëve dhe bën një apel për drejtuesit.

Gentian-Mezani

“Rënia e Flamurtarit ishte e pritshme, ndonëse dhemb ende. Nga merkatoja që u bë një vit më parë dhe ashtu si u rëndua situata, gjithkush e mendonte fundin e ekipit. Kishin vërtet pak shpresë dhe ashtu ngjau. Të them të drejtën, nuk jam unë ai që duhet t’u jap mendje njerëzve të klubit, por ata që punojnë aty, duhet të bëjnë më të mirën e mundshme për ta rikthyer Flamurtarin në elitë”, u shpreh fillimisht 41-vjeçari.

VËSHTIRËSITË

Ish-trajneri e sheh të vështirë rrugëtimin e Flamurtarit në Kategorinë e Parë. Ai është skeptik për përshtatjen e të rinjve në këtë ligë, e cila nuk i ngjan aspak elitës. “Futbollistët vlonjatë janë të rinj dhe pesha që do të kenë është e madhe. Kategoria e Parë është shumë e egër dhe e fortë. Nuk e di sa të aftë do jenë për ta mbajtur presionin e asaj lige, por unë mendoj që atyre që do të luajnë nuk do t’u bëjë veç mirë, sepse me lojë ata do të rriten dhe do të krijojnë eksperiencë”, thekson 41- vjeçari.

PLANET

Gentjan Mezani nuk ngurron që të flasë edhe për Gjilanin, ekipin që drejton në Kosovë. “Të them të drejtën, shpresoja të shkonim akoma më mirë, por dëmtimet e shumta në repartin e sulmit na kanë krijuar shumë probleme. Gjithsesi, e përgjithshmja është pozitive dhe shpresojmë që të përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje. Objektivat pa diskutim që janë Kupat e Europës, por sipas gjendjes së renditjes ne do të kërkojmë edhe diçka më shumë”, përfundon trajneri.

ERMALM SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"