Kërkohet kthesa urgjente te Dinamo, Barushi “shkund” ekipin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2021 | 12:44

Kërkohet kthesa urgjente te Dinamo, Barushi “shkund” ekipin

Dinamo u trondit nga Erzeni, në një takim që dukej i thjeshtë në letër. Përballë kishin ekipin që mbyllte tabelën e Grupit A, por në fushë nuk kuptohej se cili ishte ai që kryesonte. Një humbje që u shoqërua me zhgënjim, ndaj edhe kritikat nuk kanë munguar.

Ermal Barushi

Gazeta mëson se pas ndeshjes ishte administratori, ai që kërkoi llogari për paraqitjen e dobët. Ermal Barushi ka qenë i ashpër, ndërsa hapur ua ka thënë lojtarëve se me këto lojëra rrezikohet misioni “Superiore”, ndaj duhet kthesa urgjente.

I befasuar ka mbetur edhe Françesko Moriero, i cili është munduar që të zbulojë arsyet e kësaj performance. Ai ka evidentuar se nuk ka parë freskinë e duhur te futbollistët dhe as vullnet e dëshirë për të fituar. Gjithsesi, ditën e sotme mund të shoqërohet me një analizë të mirëfilltë.

Sakaq, pritet që të rikthehet brenda javës edhe zv.trajneri Fabricio Mikoli, i cili kishte shkuar në Itali për çështje pune. Me shumë interes po shihet gjendja e “bomberit” Diogo da Silva. Ai mungoi kundër shijakasve dhe askush nuk e priste që të mos ishte në fushë. Sulmuesi kishte marrë një goditje në miqësoren e vetme që luajtën me Feronikelin, por stafi teknik shpresonte te rikuperimi.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"