“Kemi shumë cilësi, me Teutën vendosin episodet”, Zogoviç: Në Laç treguam karakter, gati të mposhtim edhe durrsakët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2021 | 17:04

“Kemi shumë cilësi, me Teutën vendosin episodet”, Zogoviç: Në Laç treguam karakter, gati të mposhtim edhe durrsakët

Portieri Bojan Zogoviç është besimplotë se Vllaznia do të kalojë me sukses edhe ndeshjen e javës së dytë ndaj Teutës. Ai ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke komentuar fitoren e parë të arritur ndaj Laçit, si dhe golat e shumtë të pësuar në ndeshjet e fundit. Malazezi që luan sezonin e dytë me fanellën kuqeblu, ka thënë ndër të tjera se ky kampionat është i paparashikueshëm për ekipin që mund të dalë kampion. Zogoviç vlerëson Teutën për mënyrën se si është paraqitur në përballjet ndaj Vllaznisë, por nga ana tjetër, thekson se Vllaznia ka në përbërje lojtarë shumë cilësorë, që sipas tij, janë në gjendje të zgjidhin ndeshjen në çdo moment të lojës.

zogovic

Bojan, kampionati nisi në mënyrën më të mirë të mundshme në Laç…?

E filluam me një fitore dhe jemi shumë të lumtur. Veçanërisht, sepse mundëm një skuadër të madhe si Laçi.

I referoheni faktit që kishit 7 vite që nuk fitonit dhe kjo e bënte edhe më me vlerë këtë sukses….?

Po, kisha dëgjuar se Vllaznia nuk fitonte në këtë fushë për një kohë të gjatë. Ne bëmë një lojë të mirë dhe shënuam 5 gola, por nuk ishte aspak e lehtë. Bëmë disa gabime, por në Laç treguam karakter dhe konfirmuam se kemi një grup të mirë lojtarësh. Kjo na jep besim për ndeshje më të mira në vazhdimësi.

Fakti që në dy ndeshjet e fundit mes Superkupës dhe kampionatit keni pësuar 6 gola, ju bën të ndiheni keq për mënyrën se si jeni ndëshkuar?

Nëse flasim për ndeshjen e fundit, loja u hap shumë dhe askush nuk mund ta merrte me mend se do të kishte 8 gola. Ne do të përpiqemi të eliminojmë disa gabime përmes stërvitjes dhe pastaj të vazhdojmë me lojëra të mira. Gjithsesi, e rëndësishme është që në fund shënuam më shumë nga sa pësuam dhe fituam ndeshjen.

Java e dytë ju vendos përballë Teutës. Është momenti për revansh ndaj skuadrës që rivalizuat edhe për titullin sezonin e kaluar?

Është një ndeshje e vështirë, por unë mendoj se ne i kemi shanset të mëdha për fitore. Ne do të hyjmë në lojë me mendje të ftohtë, me dëshirën për të marrë tri pikë. Ne kemi kartat tona për këtë ndeshje dhe jam i sigurt se do të futemi maksimalisht të karikuar në lojë. Do të jetë një ndeshje komplet ndryshe nga ajo e Superkupës. Kemi një ekip të mirë, luajmë në shtëpi dhe jemi gati për të shtunën, për të dhënë gjithçka para tifozëve të mrekullueshëm shkodranë.

Tani e njihni Teutën. Ku mendoni se jeni më të favorizuar ndaj kësaj skuadre?

Teuta ka cilësi, kjo është e sigurt, por siç thashë, episodet do të vendosin këtë ndeshje. Ne kemi lojtarë që mund të vendosin ndeshjen me cilësinë e tyre. Besoj se ata do të dinë të bëjnë më të mirën. Ne kemi të drejtë të jemi optimistë dhe do të luajmë në këtë takim vetëm për fitore.

Me aq sa e njihni ju kampionatin, cilat mendoni se janë skuadrat që do të rivalizojnë deri në fund për titullin kampion?

Mendoj se është shumë herët për të folur për kampionin. Ne pamë në javën e parë që disa ekipe kanë një cilësi të ngjashme dhe se momentet do të vendosin se cili do të jetë kampioni. Shikoj 5-6 skuadra që kanë të njëjtën cilësi. Besoj se do të jetë një rrugëtim i gjatë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"