“Kemi shanse minimale në Kupë”, Mërgjyshi u përgjigjet akuzave të rivalëve: Jemi të qetë, nuk kemi vjedhur asgjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2020 | 13:29

“Kemi shanse minimale në Kupë”, Mërgjyshi u përgjigjet akuzave të rivalëve: Jemi të qetë, nuk kemi vjedhur asgjë

Fierakët do të luajnë ndeshjen e kthimit për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë kundër Kukësit në Elbasan. Gjithsesi, Apolonia e ka mendjen më shumë në kampionat, sesa te ballafaqimi i Kupës, pasi luajnë kundër një ekipi cilësor si Kukësi. Humbja e ndeshjes së parë në Fier i jep pak shpresa skuadrës bardhejeshile për kualifikim. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi, flet për ecurinë e skuadrës së tij, po edhe për rezervat që kanë pasur kundërshtarët për nivelin e gjykimit në dy fitoret e fundit të Apolonisë.
unnamed

Njëherësh, tekniku tiranas i fierakëve hedh pak dritë edhe për të ardhmen e Apolonisë, në rast të ngjitjes në Superiore.

Mërgjyshi, dy fitore të rëndësishme kundër Lushnjës dhe Pogradecit, por që të dyja të kontestuara nga kundërshtarët përkatës…
Ne jemi të qetë, sepse e dinim që këta ishin rivalët më të fortë gjatë gjithë sezonit. Janë ndeshjet direkte ato që përcaktojnë ecurinë dhe renditjen e secilës skuadër. Çdo njeri ka të drejtën e vet të kontestojë, por unë gjatë gjithë kampionatit nuk jam marrë me vendimet e gjyqtarëve, pasi ata janë pjesë e lojës, ndonjëherë ndikojnë në favor dhe ndonjëherë në disfavor.

Akuza nga më të ndryshmet ka?
Në rastin e Lushnjës, unë e kam thënë edhe herë tjetër. Ishte një penallti që gjyqtari “u gënjye” për momentin dhe nuk ishte e drejtë, por një episod nuk mund të zhvlerësojë fitoren tonë. Sepse episode të tilla ka në të gjithë botën. Po marr një rast të freskët: edhe Vllaznisë i mohuan një penallti me Tiranën, kur loja ishte 0-0, por kjo nuk e zbeh dot fitoren e bardhebluve 3-0. Ne patëm një episod në favor në ndeshjen me Lushnjën, por dy golat e tjerë nuk i konteston dot askush dhe fitorja jonë ka qenë e merituar. Në Pogradec, me thënë të drejtën, kishim edhe fat, pavarësisht se skuadra luftoi dhe e menaxhoi mirë pjesën e dytë, ndonëse ndodheshim në inferioritet numerik. Djemtë luftuan dhe nuk “vodhën” asgjë në atë ndeshje. Pra, secili ka të drejtën e vet për të kontestuar, por ne jemi të qetë te kjo pjesë.
apolonia-lushnja
Dy kartonë të kuq në Pogradec, ndërkohë që Apolonia shquhet në përgjithësi si ekip “fair” në fushë. Ju shqetëson ky fakt?
Patjetër më shqetëson, por thashë që, kur kalon me pikët maksimale, kjo gjë del në plan të dytë. Gjithsesi, duhet parë edhe ngarkesa dhe dinamika e ndeshjes dhe këtë nuk e them për të justifikuat veprimet e lojtarëve tanë, absolutisht. Ejoh është provokuar rëndë nga kundërshtarët me fjalor të papranueshëm, por edhe e kanë shtyrë dhe goditur, ama nuk i falet reagimi që bëri, gjithsesi, sepse dëmton atë, por edhe imazhin e klubit. Ne jemi të prerë në të tilla situata dhe nuk mund t’i tolerojmë të tilla gjeste. Ndërsa dy kartonët e verdhë të Ymerajt mendoj se ishin të evitueshëm. Njëri u mor për heqjen e fanellës pas shënimit të golit, ndërsa tjetri pas një faulli normal gjatë lojës. Gjithsesi, ne do të jemi shumë kërkues, që të mos biem më pre e provokimeve dhe të jemi të kujdesshëm, për të mos bërë veprime që na dëmtojnë imazhin, por edhe lojën, sepse mund të na lënë në inferioritet numerik.

Duke qenë se jeni 4 pikë përpara dhe është e vështirë për t’u rikuperuar nga rivalet në vetëm 4 javë, a keni bërë një llogari për ekipin e Superiores? A keni filluar të shënoni në bllokun tuaj emrat që i duhen ekipit për në elitë?
Në radhë të parë, unë jam shumë i fokusuar te përfundimi matematik i këtij kampionati. Për mua, asgjë nuk ka përfunduar dhe pavarësisht se kemi një avantazh të konsiderueshëm në pikë, ne do të jemi 100 % të karikuar në të katërta ndeshjet e mbetura, sepse edhe kundërshtarët kanë momentet e tyre dhe secili pretendon që t’i fitojë të gjitha ndeshjet dhe presin që mund të gabojmë ne, ndaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë pjesë. Sa i përket Superiores, them se ne kemi një grup të konsiderueshëm lojtarësh që ndodhen ende nën kontratë. Kjo është një politikë e mirë e klubit që lidh kontrata afatgjata dhe janë rreth 13 lojtarë, që do të vazhdojnë të jenë pjesë edhe sezonin e ardhshëm. Pra, ata janë një bërthamë e mirë, por patjetër duhet që të kemi edhe të tjerë lojtarë për të pasur organikë më të plotë për të përballuar me dinjitet Superioren.

I duhet organikë e përvojës apo do të synohet te kontingjenti i lojtarëve të rinj, siç aktualisht ka Apolonia?
Duke vazhduar në logjikën e filozofisë së klubit, por edhe lojtarë që kanë një stazh dhe eksperiencë në Superiore, që do të mbështesin dhe grupin e të rinjve. Pra, mendoj se duhet të rritet mosha mesatare e skuadrës.

E keni mbështetjen e klubit për këtë pikë?
Po, e kemi diskutuar me klubin dhe kemi mirëkuptim dhe mbështetje të plotë.

Kalojmë te ndeshja e kupës, takimi me Kukësin. Do të jetë një sfidë eksperimentesh që do t’i shërbejë fundjavës së kampionatit apo Apolonia do të ketë pretendime?
Unë e thashë që ne jemi shumë të fokusuar te kampionati. Do të mungojnë Ejoh, Ymeraj dhe Kumani në kampionat, ndaj nuk e mendoj aq të lehtë. Sa i përket kupës, duke parë dhe humbjen në ndeshjen e parë, shanset tona janë pothuajse minimale, por kjo nuk do të thotë që ne do ta neglizhojmë kupën, përkundrazi, do ta respektojmë. Ne e vlerësuam shumë ndeshjen e parë, por nuk arritëm të merrnim dot një rezultat pozitiv, të cilin e meritonim. Kemi humbur në sekondën e fundit. Pra, duke u nisur nga rezultati i ndeshjes së parë, nga fokusi i kampionatit, nga mungesat dhe organika që kemi, them se nesër (sot) do të luajmë me një ekip të miksuar, duke u dhënë hapësirë edhe atyre që kanë luajtur më pak.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"