Kategoria e Parë / Lushnja i reziston Bylisit, Tomori ngjitet i treti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2017 | 16:33

Kategoria e Parë / Lushnja i reziston Bylisit, Tomori ngjitet i treti

Lushnja ka arritur të ruajë të pandryshuar diferencën nga Bylisi ndjekës në ndeshjen mes dy skuadrave që pretendojnë ngjitjen nga Grupi B i Kategorisë së Parë, pas ndeshjes direkte që u luajt sot në Ballsh.

bylis-lushnja

Bylisi, si vendas dhe njëkohësisht si ndjekës, ishte më ngulmues në këtë sfidë në kërkim të fitores, ndërsa arriti që të mbyllte pjesën e parë në avantazh falë golit të Muçës. Por në minutën e 63-të, Lushnja rivendosi barazinë kur gjuajtja e Bufasit u devijua në portë nga Gava i vendasve. Rezultati nuk ndryshoi deri në fundin e ndeshjes, me Lushnjën që e festoi këtë barazim si një fitore, pasi arriti të mbante 6 pikë larg rivalët më të fortë.

Pas krahëve të këtyre dy skuadrave tashmë gjendet Tomori, që ka mundur minimalisht Shkumbinin me shifrat 1-0. Beratasit goditën shtyllën dhe traversën në pjesën e parë, ndërsa e luajtën të gjithë pjesën e dytë në superioritet numerik pas kartonit të kuq të Xhyrës në minutën e 38. Por goli do të vinte vetëm 6 minuta para fundit, kur Kiri arriti të thyente rezistencën e portierit Ajazi.

GRUPI B / RENDITJA

Lushnja 35 pikë, Bylis 29, Tomori 22, Shkumbini 21, Pogradeci 20, Apolonia 19, Dinamo 17, Sopoti 15, Elbasani 13, Turbina 12.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"