Kastrioti “pazar” te Kamza, ofertë 2 futbollistëve të njohur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2019 | 14:14

Kastrioti “pazar” te Kamza, ofertë 2 futbollistëve të njohur

Kastrioti ka nisur prej ditësh nga puna për t’u përgatitur për sezonin e ri futbollistik. Pasi zyrtarizuan trajnerin dhe stafin teknik, në Krujë kanë filluar të hedhin “themelet” për ndërtimin e skuadrës së re. Hapi i parë ishte rinovimi i lojtarëve kryesorë të sezonit të fundit dhe sikundër dihet, prej së mërkurës u “blindua” pikërisht kapiteni Emiliano Çela. Por, nuk do të jetë i vetmi, pasi kështu pritet të procedohet edhe me disa të tjerë që u përfundon kontrata.

kastrioti

Në skuadër ka edhe nga ata, të cilët e kanë kontratën aktive deri në fund të sezonit të ardhshëm, çka do të thotë se do të nisin direkt përgatitjet. Gjithmonë nëse gjejnë akordin e përbashkët me klubin, pasi ka edhe lojtarë që, edhe pse kanë kontratë, duan të lëvizin në skuadra të tjera.

Kamza

Krahas tyre, klubi po mendon të zëvendësojë edhe të larguarit apo të mendojë zëvendësuesit për ata që duan të largohen. Ditë më parë, gazeta ju solli në mënyrë ekskluzive interesimin e krutanëve për portierin e Tiranës, Alesio Abibi. Ai pëlqehet nga drejtuesit krutanë dhe nëse do të gjendet gjuha e përbashkët, 22-vjeçari mund të zbarkojë në Krujë. Prioritet po i jepet ofensivës dhe drejtuesit kanë nisur negociatat për të zyrtarizuar të parët.

MERKATO – Zbritja e Kamzës nga kategoria sezonin e shkuar i la lojtarët mes katër rrugëve. Tashmë që është hapur edhe merkatoja, u lind e drejta që t’i rikthehen futbollit të luajtur. Edhe pse pa prekur top me këmbë në ndeshje zyrtare, duhet thënë që futbollistët e kamzalinjve mbeten më të kërkuarit në treg. Burime të gazetës bëjnë me dije se krutanët kanë shfaqur interes dhe madje kanë kontaktuar dy prej tyre.

Rezi-sot

Bëhet fjalë për sulmuesin Ermir Rezi dhe mesfushorin Xhuljo Mehmeti, të cilët kanë negociuar parimisht me krutanët dhe pritet që në ditët në vijim të ketë diçka më konkrete. Nëse do të arrijnë që të binden dhe firmosin me Kastriotin, do të ishin dy goditje të rëndësishme për sulmin.

Bujar Balliu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"