Kastrioti me probleme, Mema duhet të ribëjë mbrojtjen për Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2023 | 18:12

Kastrioti me probleme, Mema duhet të ribëjë mbrojtjen për Partizanin

Pavarësisht se në kampionat dy ndeshjet e fundit janë humbur, me Egnatian dhe Teutën, skuadra e Kastriotit tregoi edhe njëherë forcën e saj në Kupën e Shqipërisë. Krutanët mposhtën 1-2 Dinamon në fushën e kësaj të fundit, një ekip cilësor, i cili po udhëheq Kategorinë e Parë.

KASTRIOTI 2

Por duke parë pozitat ku ndodhet skuadra e drejtuar nga Ardian Mema, çdo ndeshje është tepër e rëndësishme për qëndrimin në Superiore. Aktualisht Kastrioti ka 18 pikë dhe renditet e shtata, por me vetëm një pikë më shumë sesa Bylisi i vendit të tetë dhe Teuta e vendit të nëntë, ndërsa dy më shumë sesa Kukësi që pozicionohet i fundit.

MUNGESAT ME PARTIZANIN – Kastrioti do të rikthehet të luajë në fundjavë, teksa do të presë në Kamzë Partizanin kryesues. Një takim tepër i vështirë për krutanët, të cilët do të vuajnë edhe dy mungesa të rëndësishme në këtë sfidë. Për trajnerin Mema në dispozicion nuk do të jenë Adolf Selmani dhe Martin Prenkoçeviç.

Të dy mbrojtësit do të mungojnë përballë “Demave”, sepse kanë plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë dhe kështu që janë pezulluar. Ndërkohë për të mbyllur këto pozicione për ndeshjen me Partizanin, pritet të aktivizohet Bekim Dida, si dhe spostimi i Karakaçit në qendrën e mbrojtës, lëvizje kjo që është aplikuar edhe më përpara te krutanët kur ka pasur mungesa në mbrojtje.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"