Kastrioti, drejtuesit shkundin ekipin për mbijetesën. Vogli: Kemi “ngrirë” në bankë rrogat e dy muajve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2024 | 14:35

Kastrioti, drejtuesit shkundin ekipin për mbijetesën. Vogli: Kemi “ngrirë” në bankë rrogat e dy muajve

Kastrioti i Krujës prej javësh endet në vendin e nëntë, i cili nuk jep garanci për qëndrimin ose jo në Kategorinë e Parë. Në fillim të sezonit, objektiv i presidencës krutane ishte rikthimi në elitë. Ecuria bëri që klubi të ndryshojë objektivat rrugës dhe të përfundojnë në luftën për të siguruar mbijetesën në Kategorinë e Parë dhe shmangien e “play out”-it.

GAZ VOGLI

Për t’i paraprirë më të keqes, presidenca e Kastriotit ka marrë masat e para. Fillimisht, bëhet e ditur se do mbeten në bankë “të ngrira” dy rrogat, e muajve prill dhe maj deri në momentin që ekipi të shmangë vendin e nëntë, pra duke u renditur nga tetë e lart. Këtë masë e beri të ditur vetë drejtori teknik i Kastriotit Gazmend Vogli, i cili në një prononcim për “Panorama Sport” pohoi se krutanët nuk do ta diskutojë qëndrimin në të Parën. Gjithsesi, presidenca dhe klubi kërkojnë nga lojtarët dhe trajneri Ndreu të shmangin “play out”-in me një nga ekipet e Kategorisë së Dytë.

“Klubi ka qenë shumë korrekt me financat. Lojtarët janë paguar rregullisht, sipas kontratës që kanë nënshkruar me klubin. Bashkia e Krujës na ka mbështetur dhe është treguar shumë korrekte, sikurse edhe presidenti Alban Vogli. Tani i takon trajnerit Ndreu dhe lojtarëve të reagojnë dhe të shmangin ‘play out’-in. Ndërkohë, është vendosur që rrogat e dy muajve, prill dhe maj, të ‘ngrijnë’ në bankë deri në realizimin e këtij objektivi. Kjo masë u është komunikuar lojtarëve para seancës së djeshme stërvitore. Kjo është bërë me qëllim për t’i vënë ata në pozita të forta pune për takimet e mbetura. Rrogat do të bëhen të aksesueshme menjëherë me realizimin e objektivit.

Ekipi në fillim të sezonit u ndërtua për të qenë konkurrues e për t’u ngjitur në elitë. Lojtarët titullarë si Mehmeti, Kodra, Çela, Arapi, kapiteni i rikthyer Neziri dhe Hoxha gjithashtu kanë eksperiencë në Superiore, por duhet të bëjnë gjithçka në fushë për të shkuar tek objektivi. Tani fokusi është te ndeshja e radhës me Luzin dhe Kastriotit nuk i pranohet hapi fals. Në fushë ekipi do të hyjë për fitore”, u shpreh drejtori i skuadrës krutane, Gazmend Vogli.

SHKËLQIM HASANI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"