Kastrioti bllokon largimet, drejtori Vogli: Jemi të interesuar për afrimin 2-3 elementëve cilësorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2024 | 11:56

Kastrioti bllokon largimet, drejtori Vogli: Jemi të interesuar për afrimin 2-3 elementëve cilësorë

Kastrioti i është rikthyer përgatitjeve për pjesën e mbetur të kampionatit, ndërsa më 20 janar në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës pret Bylisin kryesues.

kastrioti

Nën drejtimin e trajnerit Ramadan Ndreu, kontigjenti i lojtarëve në stërvitje nuk ka qenë i plotë, pasi ka pasur disa mungesa. Së fundmi është përfolur për largime, nga ku janë lakuar edhe emrat e Joan Çelës dhe Armaldo Mezinit. Mirëpo, drejtori teknik i krutanëve, Gazmend Vogli, konfirmon për “Panorama Sport”, se nuk ka asgjë të vërtetë në atë që përflitet në rrjetet sociale.

“Të dy lojtarët janë nën kontratë me Kastriotin. Deri më tani nuk ka asnjë lëvizje. I vetmi lojtar që nuk do të jetë pjesë e Kastriotit në vazhdim është braziliani Xhonatan. Lojtarët e tjerë vijojnë në kontratë me Kastriotin. Jemi të interesuar për afrimin 2-3 elementëve cilësorë, por për momentin jemi në fazën e bisedimeve dhe asgjë nuk është finalizuar”, ka thënë Vogli.

Ndërkohë, krutanët këtë sezon kanë si synim të jenë në gjashtëshen e parë të kampionatit, në mënyrë që në fund të luajnë shanset në “play off”. Pas 16 javësh, Kastrioti pozicionohet në vendin e tetë me 15 pikë, 8 më pak se Korabi i vendit të gjashtë. Nga zona e rrezikut krutanët janë vetëm 3 pikë më tepër.

SHKËLQIM HASANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"