Kastrioti “blindon” kapitenin, rinovon mbrojtësi Çela

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2019 | 19:46

Kastrioti “blindon” kapitenin, rinovon mbrojtësi Çela

Ashtu sikurse pritej, ndodhi. Dje në Krujë është zhvilluar një takim mes drejtuesve, titullarëve kryesorë të skuadrës, si edhe trajnerit të emëruar rishtas.

emiliano cela

Dhe në fakt, shkaku i kësaj mbledhjeje ishte pikërisht prezantimi i Ramazan Ndreut para lojtarëve. E megjithatë, kjo nuk i pengoi drejtuesit që të vendosnin disa “piketa” për në sezonin e ri futbollistik. Një nga temat e prekura ishte edhe ajo e kontratave, ndërsa “Panorama Sport” mëson se i pari u blindua pikërisht dje.

Bëhet fjalë për Emiliano Çelën, një prej lojtarëve që ka mbajtur peshë më të madhe në formacionin e Kastriotit. Qendërmbrojtësi, njëherazi edhe kapiteni i skuadrës, do të jetë edhe për një tjetër vit te krutanët. Edhe pse 33 veç, ai shihet si lider. Eksperienca e tij do të ndihmojë skuadrën për t’u kthyer sërish aty ku ka vendin, në Kategorinë Superiore. Në fjalët e para pas zgjatjes së marrëveshjes, kapiteni nuk preferoi të flasë gjatë, e megjithatë konfirmoi se e gjeti shpejt gjuhën e përbashkët me drejtuesit.

“Gjetëm shumë shpejt gjuhën e përbashkët për të gjitha pikat. Plus që më pëlqeu projekti i klubit për rikthimin e menjëhershëm në Superiore. Më pëlqeu edhe zgjedhja e trajnerit, çka tregon seriozitetin e klubit për vitin në vazhdim”, u shpreh shkurtimisht Çela për gazetën, i cili me rinovimin e djeshëm nis sezonin e tretë radhazi në Krujë.

BOSHTI – Krutanët, nga ajo çka kanë deklaruar deri më tani, do të ruajnë boshtin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Por, cilët janë futbollistët që pritet të përbëjnë Kastriotin e sezonit të ri? Deri më tani, ndonëse jo të gjithë, të konfirmuar janë portieri Bruno Puja, Emiliano Çela, Lukman Husein, Sokol Neziri, Armando Rami, Ersil Ymeri, Henry Okebugu, Taulant Marku dhe Brunild Pepa. Kjo është vetëm njëra pjesë e skuadrës, pasi mund të kemi në ditët në vijim të tjera rinovime.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"