Kastrati: Uroj të na shtohet dëshira për fitore, drejtuesit po formojnë ekip simpatik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2017 | 10:14

Kastrati: Uroj të na shtohet dëshira për fitore, drejtuesit po formojnë ekip simpatik

Elhan Kastrati dhe Elton Vata do të jenë dy portierët e Teutës në sezonin e ardhshëm futbollistik dhe gara për një vend titullari do të jetë e madhe. Megjithatë, me eksperiencën e krijuar në sezonin e shkuar, Kastrati parashikohet të jetë ai që do të japë garanci në katërkëndësh. Në një prononcim për “Panorama Sport”, portieri ka folur për fazën përgatitore në Itali dhe objektivat e sezonit të ardhshëm.

kastrati ogunxhimi skenderbeu teuta

“Po zhvillojmë një fazë shumë të vyer këtu në Itali me të gjitha kushtet e favorshme dhe do të na shërbejë në të ardhmen. Drejtuesit dhe stafi kanë menduar që kjo fazë do të na shërbejë të gjithëve për të njohur më mirë lojën e njëritjetrit. Kemi zhvilluar tri ndeshje miqësore dhe kemi bërë një paraqitje të mirë, duke treguar maturi dhe grinte.

Drejtuesit po formojnë një ekip simpatik me djem që duan të fitojnë dhe kjo na bën më të fortë. Uroj vetëm që kjo dëshirë të shtohet dhe të tregojmë forcë atëherë kur duhet”, është shprehur Kastrati.

DOSTI & CO

Gjatë fazës përgatitore në Itali mësohet se ka rënë në sy forma e mirë që ka shfaqur Albi Dosti në ndeshjet miqësore. Sipas burimeve pranë stafit teknik, në takimet e luajtura deri më tani, fantazisti e ka justifikuar plotësisht rikthimin e tij te skuadra durrsake. Duke qenë se e njeh mirë ambientin, ka qenë e lehtë për Dostin të përshtatet me ekipin.

Edhe lojtarët e tjerë, që janë afruar rishtas, kanë treguar një gjendje të mirë. Trajneri Magani kërkon t’u marrë maksimumin futbollistëve në këtë fazë përgatitore. Një tjetër bast i fituar nga kreu i pankinës janë tre lojtarët e rinj që ka grumbulluar, pikërisht Vila, Lika dhe Lajthia. Ata janë aktivizuar në të tria miqësoret, duke bërë një performancë të mirë.

Madje në testin e fundit ndaj Vis Pesaros, Lika ishte pjesë e formacionit bazë. Trajneri u ka dhënë besim dhe nuk është çudi që ndonjë prej tyre të jetë titullar në sezonin e ri. Tashmë kanë mbetur edhe dy miqësore për t’u luajtur në Itali, teksa Magani do të kërkojë të marrë më të mirën nga grupi.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"