Karlo Ançeloti, komandanti që beson te Reali i tij: Jemi më mirë se kurrë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2024 | 19:30

Karlo Ançeloti, komandanti që beson te Reali i tij: Jemi më mirë se kurrë

Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti përsëriti një frazë të qartë dy herë brenda 24 orëve, një mesazh i mbushur me optimizëm dhe forcë. “Ne jemi më mirë se kurrë”, deklaronte italiani i stolit të bardhë kur diskutoi dhe shortin e Ligës së Kampioneve dhe përballjen e jashtëzakonshme në çerekfinale me Mançester Sitin.

anceloti

Përplasja mes dy favoritëve të mëdhenj dhe dy fituesve të fundit të kompeticionit pritet me interes të jashtëzakonshëm dhe kjo vlen edhe më shumë për Madridin, që kërkon hakmarrje pas humbjes turpëruese 4-0 në gjysmëfinalen e sezonit 2022-2023. Kështu, fjalia e mësipërme e Ançelotit u përsërit në dhomën e shtypit në “El Sadar”, pasi skuadra e italianit çimentoi vendin e tyre në krye të La Liga-s duke dërrmuar Osasunën 4-2 dhe mbajtur në 8 pikë diferencën me Barcelonën e vendit të dytë. Gazeta “Marca” i ka bërë një analizë
për se italiani është trajneri i duhur në momentin më oportun për t’i kthyer reston Sitit dhe synuar një dopietë La Liga – Champions.

FORMA E JASHTËZAKONSHME E VINIT
Forma e brazilianit është spektakolare. Po përballemi me versionin më të mirë të Viniciusit. Në fitoren kundër Osasunës (16 mars) ai tregoi aftësitë e tij më të mira, pasi shënoi dy gola dhe mund të kishte shënuar dy ose tre të tjerë. Vrapimet e tij në krahun e majtë mund të krahasohen vetëm me ato të Mbapesë dhe leximi i tij i lojës po zhvillohet gjithnjë e më shumë. Dhe për sa i përket golave, Vinicius Zhunior është tashmë në kuotën e 18 rrjetave, vetëm pesë nga rekordi personal që vendosi në sezonin e kaluar, ndërsa ai konkurron me Xhud Bellingam për “këpucën e artë” në La Liga. “Ai është shumë më i mirë edhe në lojën pa top”, tha Ançeloti. “Gjë që i mungonte”.

JO VARËSI NGA BELLINGAM
Mesfushori anglez ka qenë lojtari ekskluziv i Realit të Madridit në këtë sezon. Në takimet e fundit, mes dëmtimeve dhe pezullimit, italianit i është dashur të bëjë pa golashënuesin e tij më të mirë (20 gola). Por sa herë që anglezi ka munguar në apel, Reali i Madridit është përgjigjur me cilësi me nëntë fitore nga dhjetë ndeshje dhe vetëm barazimin kundër Vajekanos. Është folur shpesh për varësinë e Madridit nga golat e Bellingamit në mungesë të një qendërsulmuesi në ekipin e tyre. Përgjigja kolektive e hedh poshtë këtë teori. Dhe shumica e shpjegimit përse Madridi nuk po paguan për mungesën e “farit” të tij është në performancën e jashtëzakonshme të Brahim Diaz.

ANTONIO RUDIGER, NJË “KAIZER” NË MBROJTJE
Themelet e Realit të Madridit u drodhën kur gjuri i David Alaba “shpërtheu” kundër Vijarealit. Austriaku iu bashkua dëmtimeve të rënda të Eder Militaos, që Ançeloti e përshkruan si “shumë të keq”. Por në këtë problematikë të madhe në qendër të mbrojtjes, klubi i bardhë ka gjetur përgjigjen te Antonio Rydiger. Qendërmbrojtësi gjerman është bërë më i miri në La Liga dhe lidershipi i tij brenda dhe jashtë fushës është jetik për zemrën e Realit të Madridit. Shifrat dhe ajo që shihet ndeshje pas ndeshje flasin për vlerën e Rydigerit në skuadër. Nga ajo që ndodh pas dyerve të mbyllura, Ançeloti ka dhënë të dhëna se çfarë do të thotë të kesh Rydiger, në kohë të mira (shih festimet e golave apo kujdesin për Arda Gyler) dhe në kohë të këqija (kritika të brendshme pas ndeshjes kundër Lajpcigut).

LUNIN, NJË SURPRIZË E KËNDSHME
Se çfarë ishte dhe çfarë përfaqësonte ukrainasi kur filloi sezoni mund të shpjegohet me reagimin e shpejtë të madrilenëve për të shkuar për Kepa Arrizabalagën pas këputjes së ligamenteve të gjurit nga Tibo Kurtua në gusht dhe për t’i besuar atij formacionin titullar, sapo ai kishte zhvilluar disa seanca stërvitore. Ajo që është Andrij Lunin sot mund të shpjegohet me një frazë të Ançelotit në dhomën e shtypit të “El Sadar”. “Ne kemi zbuluar një portier që na jep besim, tha italiani – Nuk po nxitojmë me kthimin e Tibo Kurtua”. E tani që Kurtua është dëmtuar sërish, duket se porta e Relait do të jetë e gjitha për portierin ukrainas.

NUMRA TË JASHTËZAKONSHËM SULMUES
Fraza e Ançelotit “Jemi më mirë se kurrë” gjen argumente pozitive statistikore. Pas 41 ndeshjeve deri më tani këtë sezon, Reali i Madridit ka humbur vetëm në dy, të dyja kundër Atletikos së Madridit në Metropolitano (në La Liga dhe Kupën e Mbretit). 32 fitore dhe shtatë barazime shoqërojnë një skuadër që ka shënuar gati 100 gola (96 më saktë) dhe ka pësuar 37 dhe me vetëm nëntë ndeshje të mbetura në La Liga, titulli duket një formalitet.

ORGANIKA
Në sezonin e kaluar, Karlo Ançeloti nuk pati ndihmën e duhur nga stoli për shkak të dëmtimeve serioze, por nuk është kështu në sezonin aktual 2023-2024. Dështimet e lojtarëve si Mariano Diaz dhe Eden Hazard rëndonte në mungesën e ndihmës në fushë dhe ngarkesën e përditshme në nivel grupi. Asgjë nga këto nuk po ndodh në këtë sezon. Ardhja e Hoselut ka nënkuptuar një lehtësim të rëndësishëm në shënimin e golave (14 gola) dhe të krahasosh atë me dyshen Mariano Diaz me Hazard është të krahasosh dikë që dëshiron të përpijë botën me dikë që hoqi dorë prej saj. Përveç kësaj, Dani Karvahal ndonëse mbrojtës numëron pesë gola në emër të tij. Për më shumë akoma, kur duhej të luante si qendërmbrojtës dukej si të kishte një jetë që e bënte një rol të tillë.
KROS ËSHTË GJENERALI I MESFUSHËS
Asgjë nga ajo që është Reali i Madridit sot nuk mund të kuptohet pa Toni Krosin në timonin e mesfushës. Ai është mjeshtri që tërheq fijet e gjithçkaje në mesfushë dhe është gjithashtu një lider kyç, ai që drejton skuadrën pa pasur nevojë të shfaqë asgjë tjetër përveçse një njohuri të shkëlqyer të lojës. Kjo do të thotë se nuk ka asgjë më të rëndësishme në një futbollist dhe forma e gjermanit e bën të pashpjegueshme që ai madje të ketë në kokë idenë për t’u tërhequr nga futbolli.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"