Karapici: Nuk na dhanë rrogë të plotë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2016 | 11:46

Karapici: Nuk na dhanë rrogë të plotë

Tërbuni, pas asaj humbjeje me një rezultat te ngushtë 0- 1, e bëri pushim ditën e diel për të nisur sot përgatitjet për ndeshjen e radhës me Skënderbeun. terbuniPas përballjes me Bylisin, drejtuesit e bashkisë ndanë vetëm nga një rrogë për lojtarët, të cilët prej 8 muajsh nuk paguhen. Megjithatë, kjo pagë nuk u mor e barabartë për secilin lojtar e kjo ka bërë që disa nga futbollistët e Tërbunit të shfaqnin pakënaqësi.

Në një bisedë me mesfushorin Karapici, për “Panorama Sport” ai u shpreh:

“Më vjen keq për gjendjen e Tërbunit, që po bie sërish në Kategorinë e Parë. Unë kam ardhur te ky ekip që në korrik të vitit 2015, muaj nga i cili ne kemi pa marrë rroga. Më erdhi keq që nuk u aktivizova ndaj Bylisit, takim tepër i rëndësishëm. Mendoj se isha në formën e duhur për t’u aktivizuar dhe kisha besim se do t’ia dilnim të merrnim fitore, por papritur m’u komunikua që nuk do luaj. Të them të drejtën u zhgënjeva. Më vjen keq që ky ekip po bie në Kategorinë e Parë, sepse e meritonte të qëndronte në Superligë. Pagesa nuk ishte e barabartë për të gjithë, edhe pse ishte shumë pak që të merrnim vetëm një pagë nga të gjitha ato që duhet të marrim. Jam i pakënaqur për ato që morëm, pasi ne kemi kontratat e nënshkruara dhe meritojmë të paguhemi ashtu siç parashikojnë ato, jo me paga që s’janë të plota”, ka deklaruar Karapici.

Përgatiti: Ditmir Pema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"