Kapiteni nuk pranon të flasë për shiritin, Veliu e ka mendjen vetëm te Europa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2017 | 15:17

Kapiteni nuk pranon të flasë për shiritin, Veliu e ka mendjen vetëm te Europa

Për mbrojtësin Franc Veliu, Flamurtari po zhvillon një fazë përgatitore të suksesshme në Veria të Greqisë. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, vlonjati u shpreh se ekipi po shkon drejt konsolidimit.

veliu

“Përgatitjet në Veria të Greqisë, ku po zhvillojmë pjesën e dytë të fazës të kësaj vere, po ecin shumë mirë. Jemi duke u stërvitur me ngarkesa maksimale. Të premten zhvilluam edhe ndeshjen e parë miqësore, të cilën e mbyllëm me sukses, ku fituam 1-0 përballë Aleksandrisë. Ekipi është duke marrë ngarkesën e plotë dhe lojtarët po harmonizohen me njëri-tjetrin.

Madje, na duket sikur kemi kohë bashkë edhe me futbollistët e rinj që kanë ardhur gjatë kësaj merkatoje. Kushtet janë shumë të mira dhe është një fazë përgatitore me të gjithë komponentët e saj pozitivë. Do ta përmbyllim me sukses fazën në Greqi, duke marrë çdo ditë më të mirën, me qëllim që të jemi gati dhe shumë të gatshëm në startin e kampionatit”, tha fillimisht Veliu.

veliu flamurtari

MERKATO

“Klubi ka bërë një merkato cilësore. Janë afruar në ekip futbollistë me kualitet dhe jam shumë i bindur se do të japin më të mirën. Them se së bashku me ne lojtarët që kemi qenë edhe më parë pjesë e Flamurtarit dhe këta që na janë bashkuar këtë vit, do të bëjmë më të mirën, për një qëllim të përbashkët, për Flamurtarin tonë”, u shpreh mbrojtësi.

OBJEKTIVAT

Veliu ndalet edhe tek objektivat e klubit. Sipas tij, ka ardhur koha që Flamurtari të jetë në Kupat e Europës. “Unë e kam thënë dhe më parë se objektivi ynë është ndeshja e radhës. Por, megjithëkëtë, nuk duhet të mohojmë faktin që Flamurtarit i ka ardhur koha të jetë në Europë. Unë jam shumë i bindur se këtë objektiv ne do ta realizojmë.

I kemi të gjitha mundësitë, cilësitë, si dhe kualitetin e lojtarëve për t’u paraqitur në Europë. Flamurtari këtë edicion duhet të shkojë atje ku e meriton dhe unë kam bindjen se çdo gjë është e arritshme dhe një objektiv që realizohet”, shtoi vlonjati.

Franc Veliu, me shumë gjasa, do të jetë kapiteni i ri i Flamurtarit pas largimit të Bruno Telushit. Trajneri Duro pritet që t’i rikthejë shiritin vlonjatit. Duke qenë se në miqësoret që janë zhvilluar deri më tani, shiriti është mbajtur pikërisht prej qendërmbrojtësit, nuk ka më vend për dyshime, paçka se zyrtarisht nuk i është komunikuar. I pyetur dje për këtë çështje, Veliu nuk ka preferuar që të bëjë asnjë koment, ndërsa shprehimisht tha: “Sa për shiritin, kjo është një temë që unë nuk dua ta komentoj”.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"