Kapiteni i Elbasanit u përgjigjet akuzave: Asnjë ndihmë, nuk e kuptoj këtë mllef të Devollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2020 | 19:51

Kapiteni i Elbasanit u përgjigjet akuzave: Asnjë ndihmë, nuk e kuptoj këtë mllef të Devollit

Në Elbasan nuk kanë qëndruar në hesh tje pas akuzave që erdhën nga Devolli. Ka qenë kapiteni Endri Duka ai që ka kontestuar çdo fjalë të Sadik Çelajt, i cili deklaroi se verdheblutë fituan me ndihmën e arbitrit Laver Alla. Mesfushori nuk donte që të vijonte me replika ndaj një kolegu, e megjithatë e ka parë të udhës që të kundërpërgjigjet për të vendosur në vend “nderin” e ekipit të tij. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 32-vjeçari e quan më shumë se të merituar atë trepikësh dhe u kujton devollinjve se ishin ata që gjatë gjithë kohës ushtronin presion mbi kryesorin e asaj ndeshjeje të luajtur të dielën. “Nuk më vjen mirë të bëj replika pikësëpari dhe për më tepër me kolegët e mi, pasi në fund të fundit dua të shohim punën tonë dhe të realizojmë synimet që i kemi vënë vetes.endri duka

Por, meqenëse po përbaltet fitorja jonë në Devoll, do t’i them dy fjalë. Ata që e kanë parë ndeshjen e dinë që ne ishim dominantë gjatë gjithë kohës dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë lojë deri në fund. Nuk e di nga e sheh kundërshtari njëanshmërinë e arbitrit, ku ata bënin ndërhyrje nga më të ashprat dhe gjatë gjithë kohës e kishin mendjen t’i bënin presion arbitrit. Çdo kolegu apo çdo ekipi u bëj thirrje që problemet t’i gjejnë te vetja dhe të mos i kërkojnë tek arbitri apo diku tjetër. Sa për frazën që arbitri ka thënë që do fitojë Elbasani, kjo nuk ndodh asnjëherë. Të gjithë lojtarë jemi dhe kurrë nuk na ka ndodhur që arbitri të na thotë se do fitojë kjo apo ajo skuadër. Më duket shumë banale kjo gjë, por më vjen keq që duan të na heqin meritat e fitores që e morëm me shumë mund, duke ia faturuar arbitrit”, u shpreh fillimisht Duka.

Për kapitenin elbasanas është i pakuptueshëm edhe ky mllef ndaj Elbasanit, sepse të luash ndaj kësaj skuadre është një kënaqësi dhe asnjëherë nuk ka pasur asnjë ekip probleme. “Unë nuk e di nga e kishte atë mllef ekipi dhe lojtarët e Devollit. Nuk duhet parë si një tragjedi të të mundë Elbasani dhe të luash ndaj kësaj skuadre duhet të jetë kënaqësi, sepse asnjëherë nuk jemi një klub që krijojmë probleme për kundërshtarët”, e mbyll prononcimin e tij për gazetën kapiteni i skuadrës së Elbasanit, Endri Duka.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"