Kaos te Interi, Mançini dhe Auzilio pranë largimit nga zikaltrit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2016 | 10:56

Kaos te Interi, Mançini dhe Auzilio pranë largimit nga zikaltrit

Roberto Mançini dhe Piero Auzilio ndihen në periferi të projektit zikaltër dhe për këtë arsye mund t’i japin fund marrëdhënies me Interin përpara afateve që kanë në kontratat respektive. Ndryshimi i pronarëve të Interit ka ndikuar në shoqëri ku tani figura kryesore është Havier Zaneti.

ausilio-mancini-zanetti_1076767sportal_news

Shkaku

Arsyeja kryesore e krisjes mes drejtuesve të Interit dhe Mançinit ka të bëjë me strategjitë e merkatos. Trajneri do lojtarë me eksperiencë, ndërsa kinezët duan të rinj premtues. Nuk është një rastësi që tekniku, në daljet e fundit përpara gazetarëve, është distancuar prej çështjeve që kanë lidhje me shoqërinë.

Takimi

Për të ndrequr raportin mes Manços dhe kinezëve ka menduar Majkëll Bolingbruk. Kreu i ekzekutivit të shoqërisë ka takuar dy ditë më parë për rreth një orë 52-vjeçarin në Riskone të Brunikos. Amerikani ka siguruar trajnerin për merkaton dhe i ka thënë se të gjithë kanë besim tek ai.

Mancini-Ausilio_DAN3993-900x4441-e1454325439560-610x400

Arratisja

Por pas atij takimi ka ndodhur edhe diçka e pazakontë. Mançini ka braktisur qendrën ku stërvitet Interi me pretekstin se në dokumentet e tij kishte diçka që nuk shkonte, që do ta pengonte sot të nisej drejt SHBAsë. Sot pasdite do të shikohet nëse Manço ka hequr dorë pa luftuar për Interin nëse nuk do të prezantohet në aeroport për t’u nisur drejt SHBA-së ku Interi do të zhvillojë një sërë takimesh miqësore. Këtë muaj ka edhe një tjetër ditë kyçe. Më 27 korrik thuhet se drejtuesit e Interit do të takohen me Mançinin për ta sqaruar mbi gjithçka.

Dashuria

Fjalët që ka thënë Manço në ditët e fundit janë të forta. Gjatë një interviste për “Guerin Sportivo”, ai tha: “E dua shumë këtë shoqëri prandaj nuk e tradhtoj dot. Ashtu siç kam thënë në fund të kampionatit të kaluar, e them edhe tani. Nëse dikush nuk më do, jam gati që të hap krahun”. Ndërsa kur u pyet për merkaton, shigjetoi drejtuesit duke pohuar: “Nuk kam se kujt t’i kërkoj llogari për merkaton”.

Përgatiti: ALTIN VORPSI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"