Kamza në mëshirë të fatit, e ardhmja mbetet enigmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2019 | 10:44

Kamza në mëshirë të fatit, e ardhmja mbetet enigmë

Te Kamza askush nuk ka një përgjigje se kur dhe si do të nisë puna për sezonin e ri. Kamza sot nuk ka as trajner, as staf drejtues dhe as lojtarë, sepse të gjithë ata që ishin pjesë e saj sezonin e fundit, po sistemohen në skuadra të tjera. Për momentin, ekipi është lënë në mëshirë të fatit dhe për fat të keq varet nga politika.

Kamza-Stervitje

Presidenti Naim Qarri, i dënuar me 4 vite nga FSHF-ja për të mos qenë prezent në stadiumet shqiptare, zotëron dhe 51% të aksioneve, ndërsa bashkia ka 49%. Bashkia e ka braktisur me kohë skuadrën, duke mos dhënë asnjë kacidhe gjatë këtij viti. Dikush që merret me sportet në bashki të thotë se Kamza do të regjistrohet me emrin e ri Dajti në Kategorinë e Dytë. Por, në bazë të rregullores, që të regjistrosh një ekip nga e para me emrin e ri Dajti, siç pretendon bashkia, duhet ta nisësh nga Kategoria e Tretë.

Përplasjet presidencë–bashki po vijojnë në heshtje edhe tani pas shkrirjes së skuadrës. Me nisjen e kampionatit, do të nisin sërish përplasjet për stadiumin, që është në pronësi të bashkisë dhe ajo nuk dëshiron ta lejojë presidentin Qarri ta drejtojë skuadrën. Futbolli në Kamzë mbetet diçka enigmatike, të paktën sa të marrë drejtim çështja e zgjedhjeve lokale. A do të ketë një bashkëpunim të ri mes bashkisë dhe klubit që bëri historinë? Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"