“Kamza e persekutuar në të dyja sistemet”, ish-futbollisti rrëfen vuajtjet: Në 1995 na përjashtuan prej… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2019 | 23:24

“Kamza e persekutuar në të dyja sistemet”, ish-futbollisti rrëfen vuajtjet: Në 1995 na përjashtuan prej… (E PLOTË)

Kamza mori dënim ek strem nga Komisio ni i Disiplinës pas dhunës ndaj arbitrit Eldorjan Hamiti, duke u përjashtuar nga gara dhe rënien në të Dytën, por nuk është e para herë. Konkretisht, në sezonin 1980-1981, edhe pse u shpall kampione e Kategorisë së Dytë, e rrëzoi një vendim i befasishëm.

kamza

Fatmir Tare, një nga ish-futbollistët e atij ekipi që mbante emrin “Dajti”, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” rrëfen dënimet në komunizëm dhe komenton dënimin aktual.

Çfarë ndodhi dy dekada më parë…?

Ka qenë viti 1995, kur me ekipin e moshave shkuam në Finlandë për një turne miqësor. Pas aktivitetit, asnjë prej lojtarëve nuk është kthyer në atdhe, duke u shpërndarë në Finlandë e disa në Angli. Në atë kohë, federata vendosi ta përjashtonte Kamzën me të gjitha ekipet për 5 vite nga çdo lloj aktiviteti. Ka qenë dënimi më i rëndë që mbaj mend. Pas dy vitesh krijuam një ekip të ri, duke i ndërruar emrin në Eurokamza dhe morëm pjesë në Kategorinë e Dytë, gjatë sezonit 1996-’97.

Çfarë ju kujton vendimi i Disiplinës që Kamza të zbresë në të Dytën?

Është një vendim që më kthen kujtesën e 38 viteve më parë, kur skuadra jonë, “Dajti” i dikurshëm, ishte shpallur kampione e Shqipërisë në Kategorinë e Dytë (sot Kategoria e Parë) dhe kishim organizuar festën. Madje, e kishim trofeun në dorë, por me urdhër të Byrosë Politike të Federatës Sportive Komuniste, na e marrin trofeun dhe nuk e japin, duke na lënë edhe festën përgjysmë:

Dhuna ne kamze eldorjan hamiti qarri

“Ju nuk e meritoni, pasi jeni një skuadër që keni në përbërje shumë të deklasuar nga regjimi”, na thanë. Ata gjetën alibinë për ta dënuar Kamzën, duke i hequr të gjitha pikët e fituara gjatë aktivizimit të lojtarit tonë (portieri Fatmir Lala), që në atë kohë ishte ushtar dhe sipas tyre nuk lejohej të luante, paçka se në ekipin e Partizanit luanin të gjithë ushtarët anekënd Shqipërisë.

Llogaritjet ata i bënë fiks për ta shkatërruar klubin kamzali. Pasi i hoqën 21 pikë (10 fitore nga 2 pikë dhe 1 barazim) e me pikët e mbetura, skuadra ra në vendin e fundit dhe si pasojë zbritëm edhe nga kategoria ku ne ishim, pra ramë në Kategorinë e Tretë (identik me vendimin e fundit të Disiplinës). Kështu, për ne ky është rasti i dytë që i ndodh klubit në 83 vite të futbollit në Kamzë.

Si ju duket ky lloj vendimi?

Ashtu si atëherë, edhe sot ndihem shumë i dëshpëruar që po ndodh sërish për të njëjtat alibi: “Ta bëjmë shembull për ekipet e tjera”. Vetëm në regjime komuniste ndodhnin të tilla gjëra. Asnjëherë nuk shikohej ligji ku përfshihej masa e dënimit. Por hajde të marrim e ta bëjmë shembull mos të na ndodhë në ekipet e tjera. Unë mund të them se këto vendime janë me dy standarde. Ndryshe veprohet me ekipet që kanë mbështetje në federatë e ndryshe me ekipe që nuk kanë asnjë përkrahje.

Përse e konsideroni me dy standarde vendimin e Disiplinës?

Po jap shembuj në dy ekipet e grupmoshave që drejtoj, Kamza U-17 dhe Kamza U-19, që aktualisht marrin pjesë në Kategorinë e Parë profesioniste. Gjatë sezonit të kaluar, te Kamza U-19 ne kryesonim dhe ishim pretendentë për t’u ngjitur. Në ndeshjen e fundit në Fushë-Krujë kundër Ilirisë, përveç masakrimit që na bëri gjykimi, (skuadra jonë kryesonte 2-0) vjen dhe masakrimi i futbollistëve. Imagjinoni një ngjarje ku prindër e tifozë godasin pa mëshirë lojtarët tanë, i gjakosin dhe godasin edhe mbasi kanë hipur në ambulancë.

Kjo federatë jo vetëm që nuk mori asnjë masë karshi klubit organizator, por e gradoi duke e ngjitur në Kategorinë Superiore. I njëjti rast na ndodhi dhe gjatë sezonit 2017-’18, kur ne kryesonim me diferencë pikësh. E për habi, në ndeshjen në Shkodër kundër rivalit tonë, edhe pse ndodhi i njëjti rast si në Fushë-Krujë, ku lojtarët tanë janë goditur me grushte e me shqelma, përsëri po kjo federatë bën dy standarde.

Fal ekipin kundërshtar dhe na heq tri pikë. AAS gradohet duke u ngjitur në Superiore. Gjithashtu, keni plot raste kur federata është e njëanshme me vendimet ndaj dhunës, madje edhe në Superiore, në elitë. FSHF tregohet përkëdhelëse ndaj disa ekipeve afër saj. Mund t’ju tregoj dy raste si ai i Ballshit (Bylis-Laçi) apo i Laçit (Laçi-Kastrioti).

Ju si mendoni lidhur me dhunën e ndodhur në Kamzë?

Unë gjithnjë kam qenë kundër dhunës, jo vetëm nëpër stadiume, por edhe në ndeshjet tona të moshave. Është një dhunë që duhet ndëshkuar, por jo në këtë ekstremitet, duke e zbritur dy kategori më poshtë. Jam dakord me vendimet që u morën për drejtuesit e klubit, por nuk duhej dënuar në këtë masë, me zbritje dy kategori më poshtë.

Në cilin nen janë bazuar ata që kanë marrë këtë vendim? Në asnjë nen nuk thuhet të shuash futbollin e një qyteti. Do të isha i mendimit për një dënim më të butë, ndoshta edhe daljen nga kategoria mund ta konsideroj të drejtë, duke pasur parasysh rastin e Ballshit. Por ta zbresësh ekipin dy kategori më poshtë, është të masakrosh një qytet futbolldashës.

Sa ndikon ky vendim te lojtarët?

Unë e kam përjetuar vetë një vendim të përafërt me këtë, por nuk ka më keq për një ekip elitar të katandiset në kategori gjysmëprofesioniste. Është shumë e rëndë për çdo lojtar. Më vjen shumë keq për futbollistët. Federata duhet të kishte menduar pasojat ndaj tyre.

Nëse mbetet në fuqi, si mund të rimëkëmbet skuadra e Kamzës?

Duhet të presim dhe mendojmë se federata do ta rishqyrtojë edhe një herë këtë vendim, duke e marrë më me qetësi, pasi raste të tilla kanë ndodhur edhe kur në fushë ka qenë policia, si në Ballsh apo në Laç. Përsëri janë goditur arbitrat, lojtarët apo dhe zyrtarët e ndeshjes, por asnjëherë nuk janë marrë kaq masa drastike. Mënyra për të bërë shembull është mentalitet i vjetër komunist, kur internonin familje të pafajshme për të sunduar mbi të tjerët. Për sa i përket pyetjes suaj, Kamza mund të rimëkëmbet vetëm nëse do të privatizohet tërësisht.

ABDULLA DUSHKU

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"