“Kam marrë lojtarë shqiptarë, jo të Kosovës”, Bushi: Pritën pasaportën prandaj kanë luajtur me “Dardanët”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2022 | 22:42

“Kam marrë lojtarë shqiptarë, jo të Kosovës”, Bushi: Pritën pasaportën prandaj kanë luajtur me “Dardanët”

Shqipëria U21 do të luajë dy miqësore në këtë periudhë grumbullimi me Kroacinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një konferencë për mediat, trajneri i Shpresave, Alban Bushi, u shpreh se skuadra është gati për këto përballje edhe pse ka disa mungesa.

ALBAN BUSHI 1

Cili lojtar ju ka bërë më tepër përshtypje?

Ne kemi një grup komplet të ri. Po thuajse 90% e ekipit është e rinovuar nga grupi i sivjetshëm. Nuk është se i njohim mirë të gjithë lojtarët, pavarësisht se i kemi ndjekur gjatë gjithë vitit. Mendoj se kemi një grup shumë të mirë, me lojtarë cilësorë. Kemi lojtarë dhe të datëlindjes 2005, që janë tre vite më të vegjël se datëlindja normale 2002 që kemi. Dhe mendojmë se do të bëjmë një sezon mjaft të mirë. kemi probleme në disa reparte, që i kemi dhe urgjente, sidomos në repartin e mbrojtjes, por mendoj se kemi kohë dhe këto ndeshje na ndihmojnë shumë dhe për të ardhmen.

Sa do të vlejnë këto dy sfida?

Këto do të vlejnë shumë. Ndërsa kundërshtarët nuk është se i njohim, sepse dhe ata janë të rinovuar si puna jonë, por njohim trajnerët e tyre dhe skemën që ata luajnë. Siç kanë luajtur vjet edhe Kroacia me skemën 4-3-3, edhe Maqedonia me skemën 4-2-3-1. Jemi mbajtur pak kësaj skeme, por jemi përqendruar më shumë te lojtarët, të cilët do t’i kemi për të ardhmen. Jemi dhe tifozë të asaj që duhet të fitojmë, pavarësisht se ne jemi për të çuar lojtarë në Kombëtaren A, siç kemi çuar shumë. Edhe rezultati na jep moral për të ardhmen.

Ftoni lojtarë të Kosovës dhe Shqipëria ka marrë mjaftueshëm lojtarë nga Kosova. I drejtë si gjykim?

Unë kam marrë lojtarë shqiptarë, jo të Kosovës. Unë mendoj si Shqipëria, si Kosova është njësojë. Ne jemi të detyruar të marrim lojtarë që janë cilësorë, por më pas është zgjedhje e tij për të zgjedhur midis Shqipërisë ose Kosovës. Bëhet fjalë për dy lojtarë, që janë Bajaziti dhe Berisha, që këta kanë qenë pjesë e Kosovës sezonin që kaloi, por përpara se të shkonin te Kosova kanë qenë dhe pjesë e Shqipërisë. Për arsye se iu vonua pasaporta ata kanë luajtur për Kosovën dhe tani kanë zgjedhur të luajnë për Shqipërinë. Nuk shikoj ndonjë problem të madh. Ka pasur lojtarë të Kosovës që më parë luanin për Shqipërinë dhe përfaqësojnë Kosovën, lojtarë që kanë luajtur me Kosovën që përfaqësojnë Shqipërinë. Kështu që unë nuk shikoj asnjë problem. Më duket pak e habitshme sepse të gjithë flasin shqip dhe të gjithë duan të përfaqësojnë flamurin kuqezi.

Çfarë mund të na thuash për Toçin?

Toçi është një nga lojtarët e vjetër që kemi pasur ne në ekip. Ishte dhe sezonin e kaluar. Lojtar shumë cilësor, datëlindja 2003, shumë i fortë, do t’i shërbejë Shqipërisë në të ardhmen, siç kanë shërbyer dhe lojtarë të tjerë. Trajneri Reja e ka marrë në gjirin e vetë për këtë ndeshje. Ne nuk na prish punë sepse i kemi ndeshje miqësore dhe duam të shohim lojtarë të rinj, sepse Toçin e njohim. Ka vlera dhe mendoj se do të bëjë mirë te Kombëtarja për shumë vite, siç kanë bërë Broja apo Manaj që kanë kaluar nga U21 në Kombëtaren A. Por nuk është vetëm ai. Është edhe Mitaj me Bajramin që janë pjesë e Kombëtares A nga U21. Dhe për ata mendoj se do të bëjnë mirë. Por unë do të veçoja një sportist shumë të vogël që e kemi marrë këtë herë nga Anderlehti U18, Behar Ismajli. Mendoj që është një lojtarë vërtet i talentuar. Nuk e kemi marrë kot, tre vite më të vogël. Mund të luajë te U21, por mund të bëjnë mirë dhe te Kombëtarja A. Nuk është vetëm ai, por edhe dy-tre lojtarë të tjerë nga U21 që do t’i shikoni në Kombëtaren A.

Pse është zgjedhur Ismajli te Shpresat dhe jo te U19?

Ne kemi marrë shumë lojtarë. Strategjia e Federatës është kjo, ai që është talent, t’i japim dorën pak më shpejtë se të tjerët, për t’i kaluar shkallët më shpejtë se të tjerët. Normal si logjikë duhet t’i kalojnë të gjithë shkallët një nga një. Këta që kanë kaluar shkallët shpejt, ne nuk kemi gabuar si staf. Kemi rastin e Kumbullës. Unë e kam marrë ata të datëlindjes ’96, ishte katër vite më i vogël. Bëri tre ndeshje te U2 dhe më pas kaloi te ekipi A. Kem i rastin e Brojës, që unë e kam grumbulluar me ata të datëlindjes n’98, ai ishte 2001, tre vite më i vogël. Luajti dy ndeshje me U21 dhe vajti me ekipin A. Shpresoj që dhe Behar Ismajli të ndjekë të njëjtën rrugë.

Çfarë do të bëjë Bushi ndryshe këtë herë?

Patjetër që ne përmirësohemi. Fitojmë më shumë eksperiencë. Arrijmë të bëjmë gjërat ndryshe, diçka ndryshe, në atë librin tonë. objektivi është Kombëtarja A. Nëse nuk do të ishte Kombëtarja A, unë mendoj se do të kishim shumë sukses me U21. Nëse nuk do të na merrnin lojtarë nga U21. Jam i lumtur për këtë. Kombëtarja A ka marrë shumë nga ne vitet e fundit dhe nuk na ka lënë që të bëjmë atë hapin e madh, kualifikimin që kemi qenë shumë afër faktikisht. Gjithsesi do të kemi një Kombëtare A shumë të shëndoshë në 10-15 vitet e ardhshme dhe po të shikosh mesataren e saj tani, është një mesatare me moshë 22-23 vjeç edhe kjo është një siguri shumë e madhe për Shqipërinë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"