Kalimi i Hamiltonit te Ferrari, Alonso nuk i kursen ironitë me britanikun: Sikur nuk ishte ëndrra e tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2024 | 19:10

Kalimi i Hamiltonit te Ferrari, Alonso nuk i kursen ironitë me britanikun: Sikur nuk ishte ëndrra e tij

Gjatë prezantimit të Aston Martin AMR24, makinë të cilën ai do ta drejtojë në Kampionatin Botëror që po afron gjithnjë e më shumë, Fernando Alonso ka komentuar edhe një prej temave më diskutuara të javëve të fundit në botën e Formulës 1, kalimin e bujshëm të Luis Hamiltonit te Ferrari në sezonin 2025. Piloti spanjoll nuk e ka kursyer ironinë dhe thumbimet për rivalin “e urryer” britanik, të cilin e ka pasur shok skuadre në kohën e MekLarenit.

hamilton alonso

“Ndoshta Hamilton mund t’i sjellë Ferrarit atë që i mungon për të luftuar për titullin. Ishte një transferim surprizë, pasi Luis ishte shumë i lidhur me Mercedes. Nuk i di arsyet që e shtynë ta bëjë këtë lëvizje, por për momentin nuk jam i shqetësuar. Ka ende edhe një vit para se të kalojë në Maranelo, por me sa di deri para muajsh drejtimi i Ferrarit nuk ishte ëndrra e tij e fëmijërisë, pasi ai kishte ëndrra të ndryshme. Shpresoj që t’i pëlqejë eksperienca me Ferrarin, pasi të fitosh me Ferrarin është speciale, por aty… duhet të fitosh. Ndoshta ai do të sjellë atë që mungon për të fituar Botërorin, pasi makina është konkurruese prej disa vitesh”, shprehet Alonso.

42-vjeçari më pas komentoi edhe zërat që e afrojnë me Mercedesin në këtë “efekt domino” të pilotëve në F1: “Unë nuk kam pasur kontakt me Mercedesin. Jam i vetëdijshëm për situatën time, e cila është unike. Ka vetëm tre kampionë botërorë që janë ende shumë konkurrues në pistë dhe nuk ka qenë gjithmonë kështu në të kaluarën. Unë jam ndoshta i vetmi në dispozicion për vitin 2025, kështu që jam në një pozicion të mirë. Por në të njëjtën kohë, kur të marr një vendim për të ardhmen time, prioriteti im do të jetë gjithmonë Aston Martin”, u shpreh dy herë kampioni i botës. Për sa i përket startit të Botërorit 2024 tashmë ka nisur numërimi mbrapsht, teksa sezoni i ri do ta ngrejë siparin më 2 mars në Bahrejn.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"