Ka lënë gjurmë në shumë klube të njohura, Partizani në bisedimet me një “big” (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2018 | 22:22

Ka lënë gjurmë në shumë klube të njohura, Partizani në bisedimet me një “big” (VIDEO)

Përforcimi i sulmit mbetet një objektiv i parealizuar nga drejtuesit e merkatos verore të Partizanit. Ndaj, për të shfrytëzuar çdo mundësi, të kuqtë lanë dy vende bosh te federimet, në mënyrë që të krijonin hapësirë për të afruar ndonjë lojtar të paangazhuar.

habib-habibou-06-12-2014-rennes---montpellier-17eme-journee-de-ligue-1---20141206214444-3446

Realisht, të kuqtë besojnë te ky mision edhe pas mbylljes së merkatos, pasi u fol se klubi ka qenë në bisedime me dy alternativa për sulmin. Pa dyshim, bëhet fjalë për lojtarë që mbyllja e merkatos i ka gjetur të lirë, pa asnjë angazhim. Më herët “Panorama Sport” ka njoftuar se “demat” po bisedonin paralelisht me dy sulmues, ku njëri prej tyre ishte i huaj, ndërsa tjetri një futbollist shqiptar nga rajoni. Gazeta ka arritur të zbulojë futbollistin e huaj, me të cilin u negociua, por deri më tani nuk ka asnjë zhvillim. Po flasim për Mouhamadou Habib Habibou,192 cm i gjatë. 

Habib_Habibou

Bëhet fjalë me një lojtar me CV të pasur që ka luajtur me disa klube të njohura në Europë, por që i ka ndryshuar shpesh destinacionet. Habib Habibou ka lindur në Republikën e Afrikës Qendrore, por zotëron edhe pasaportë franceze. Madje, hapat e parë dhe karrierën si futbollist i ka hedhur tek akademia e PSG-së në kryeqytetin francez. Më së shumti, karrierën e ka ushtruar në Belgjikë, ku edhe ka fituar një titull kampion me Gent. Pas shëtitjes në disa shtete, eksperienca e fundit e sulmuesit afrikan ka qenë Katari dhe që nga 1 korriku ai ka mbetur pa skuadër.

Partizani po e vuan shumë zbrazëtinë në repartin sulmues dhe franko-afrikani ishte një mundësi përforcimi, duke ditur edhe klauzolën se si lojtar i lirë mund të firmosë kur të dojë. Duke u bazuar te karriera e tij, mendohet që sulmuesi të ketë kërkesa të larta ekonomike dhe mbase kjo ka bërë që mes palëve të mos ketë akord. Ndërprerja e kampionatit do të ishte favorizuese për të afruar një lojtar të lirë që mund të përshtatej disi me ekipin, por kjo gjë nuk ka ndodhur te Partizani, duke përforcuar idenë se deri në janar skuadra do të vijojë me grupin që trajneri Gega ka në dispozicion./ILIR CARA-PANORAMA SPORT/

skeda

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"